E ekzekutuan pasi e nxorën nga makina, zbardhet vrasja e Albi Bashaliut
Pas gati 2 vitesh është zbardhur vrasja e Albi Bashaliut në Peqin.
Ngjarja ndodhi në fshatin Gjoçaj më 27 dhjetor të vitit 2021. Autorët, pasi kanë zbritur nga mjeti i tij 35-vjeçarin, e kanë vrarë atë. Në tentativë për t’u larguar, makina e tyre nuk është ndezur dhe autorët janë larguar me automjetin e viktimës.
Për të fshehur gjurmët, ata u vunë flakën makinës së tyre, e cila rezultonte të jetë e vjedhur në Tiranë.
Bashaliu u gjet i vrarë me armë zjarri në rrugë. Dyshohet se krimi ka ndodhur për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës Leonard Bashaliu vrau në 8 qershor të 2021-it, 44-vjeçarin Albert Xhahysaj.
Ngjarja u zbardh vetëm në sajë të operacionit të djeshëm, pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ndodhet pas hekurave për grabitjen e një pike të këmbimit valutor në Astir.
Tafani tregoi se kishte qenë pjesë e disa vrasjeve me pagesë të grupit të Laert Haxhiut, ky i fundit i akuzuar për masakrën e Lushnjës.