E bujshme, Pogba pozitiv me testosteron: rrezikon nga dy në katër vjet skualifikim

Periudha shumë e errët e Paul Pogba vazhdon. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi, francezi ka rezultuar pozitiv me testosteron. Kontrolli i dopingut i përket 20 gushtit të vitit të kaluar, pas ndeshjes Udinese-Juventus. Në atë ndeshje, francezi as nuk zbriti fare në fushë. Mesfushori i Juventus do të pezullohet si masë paraprake dhe do të ketë tre ditë kohë për të kërkuar kundëranalizë. Nëse pozitiviteti do të konfirmohet, Pogba do të gjykohet nga gjykata kombëtare anti-doping, gjithnjë nëse nuk bëhet marrëveshje për pranimin e fajësisë. Përjashtimi, në rastet e dopingut, arrin deri në dy vjet, të cilat mund të bëhen katër në rast të vërtetimit të qëllimshmërisë.

Bazuar në rastin e fundit me testosteron në Serie A, ku përfshihej Palomino i Atalantës, i cili më vonë u lirua nga akuzat pasi humbi katër muaj e gjithashtu Kupën e Botës, francezi i Juventus duhet të ndalohet për shkeljen e neneve 2.1 dhe 2.2. Bëhet fjalë për ato që kanë të bëjnë me “praninë e një substancë e ndaluar” dhe “përdorimin ose tentativën e përdorimit të një substance të ndaluar”.

Pas Udines, ku ritheksojmë, nuk doli në fushë, Pogba luajti 52 minuta mes Bolonjës dhe Empolit, para se të dilte për shkak dëmtimi në ndeshjen kundër toskanëve. Një dëmtim për të cilin u frikësua një ndalesë e gjatë, por që përkundrazi dukej se ishte zgjidhur. Pikërisht në këto orë Pogba, i cili ka qenë në vështirësi të mëdha vitet e fundit, kishte pranuar se kishte menduar të tërhiqej dhe se tani ishte në kërkim të rikthimit.

Lapsi.al