E bujshme/ Një kompani izraelite ka manipuluar zgjedhjet në 33 vende të botës
Një ekip kontraktorësh izraelitë që pretendojnë se kanë manipuluar më shumë se 33 procese zgjedhjesh në mbarë botën duke përdorur hakerime, sabotime dhe dezinformata të automatizuara në mediat sociale është zbuluar në një hetim të publikuar së fundmi.
Njësia drejtohet nga Tal Hanan, një ish-operativ i forcave speciale izraelite, 50 vjeç, i cili tani punon privatisht duke përdorur pseudonimin “Jorge”. Duket se ai ka punuar në heshtje me zgjedhjet në vende të ndryshme për më shumë se 2 dekada.
Ai është zbuluar nga një bashkim ndërkombëtar gazetarësh. Hanan dhe njësia e tij, e cila përdor emrin e koduar “Ekipi Jorge”, janë ekspozuar me kamera të fshehta dhe dokumente të publikuara në “The Guardian”. Hanan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me aktivitetet dhe metodat e “Ekipit Jorge”, por tha vetëm: “Unë mohoj çdo akuzë për keqbërje”.
Hetimi zbulon detaje të jashtëzakonshme rreth mënyrës sesi dezinformimi po armatizohet nga “Ekipi Jorge”, i cili drejton një shërbim privat që ofron ndërhyrje të fshehtë në zgjedhje pa lënë gjurmë. Grupi gjithashtu punon edhe për klientët e korporatave të mëdha.
Hanan u tha gazetarëve të fshehtë se shërbimet e tij, të cilat të tjerët i përshkruajnë si “operacione të zeza”, ishin në dispozicion të agjencive të inteligjencës, fushatave politike dhe kompanive private që donin të manipulonin fshehurazi opinionin publik. Ai tha se ato ishin përdorur në të gjithë Afrikën, Amerikën Jugore dhe Qendrore, SHBA dhe Evropë.
“Ekipi Jorge” është një paketë e sofistikuar softuerësh që kontrollon një ushtri të madhe me mijëra profile të rreme të mediave sociale në Twitter, LinkedIn, Facebook, Telegram, Gmail, Instagram dhe YouTube. Disa ushtarë të këtij rrjeti kanë llogari në Amazon me karta krediti, kuleta bitcoin dhe llogari Airbnb.
Konsorciumi i gazetarëve që hetoi “Ekipin Jorge” përfshin reporterë nga 30 media, duke përfshirë Le Monde, Der Spiegel dhe El País. Në kamerat e fshehta u filmuan 3 reporterë, të cilët iu afruan “Ekipit Jorge” duke u paraqitur si klientë.
Në më shumë se 6 orë takime të regjistruara në fshehtësi, Hanan dhe ekipi i tij folën sesi mund të mblidhnin informacione nga rivalët, duke përfshirë përdorimin e teknikave të hakerimit për të hyrë në llogaritë e Gmail dhe Telegram. Ata mburreshin për futjen e materialeve të tyre në media të mëdha të lajmeve, të cilat më pas përforcohen nga softueri i menaxhimit, Aims.
Pjesa më e madhe e strategjisë së tyre sillej rreth ndërprerjes ose sabotimit të fushatave të rivalëve. “Ekipi” madje pretendoi se kishte dërguar një lodër seksi përmes Amazon në shtëpinë e një politikani, me qëllim që t’i jepte gruas së tij përshtypjen e rreme se ai kishte një lidhje jashtëmartesore.
Metodat dhe teknikat e përshkruara nga “Ekipi Jorge” ngrenë pikëpyetje për platformat e mëdha të teknologjisë, të cilat për vite me radhë kanë luftuar për të parandaluar “aktorët e këqij” që përhapin gënjeshtra ose shkelin sigurinë në platformat e tyre. Dëshmia e një tregu privat global të dezinformatave që sulmojnë zgjedhjet duhet të ndezë “këmbanat e alarmit” për demokracitë në mbarë botën.
Zbulimi i “Ekipit Jorge” mund të vërë në siklet për Izraelin, i cili është tashmë nën presionin diplomatik për eksportin e tij të armëve kibernetike që minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Takimet e filmuara në fshehtësi, të cilat u zhvilluan midis korrikut dhe dhjetorit 2022, ofrojnë një dritare të rrallë për të kuptuar mekanikën e dezinformimit. Tre gazetarë – nga Radio France, Haaretz dhe TheMarker – iu afruan “Ekipit Jorge” duke pretenduar se ishin konsulentë që punonin në emër të një vendi politikisht të paqëndrueshëm afrikan që kërkonte ndihmë për shtyrjen e zgjedhjeve.
Takimet me Hanan dhe kolegët e tij u zhvilluan nëpërmjet video-telefonatave dhe një takimi personal në bazën e “Ekipit Jorge” u bë në një zyrë e pashënuar në një park industrial në Modi’in, 20 milje jashtë Tel Avivit.
Hanan e përshkroi ekipin e tij si “të diplomuar në agjencitë qeveritare”, me ekspertizë në financa, media sociale dhe fushata, si dhe “luftë psikologjike”, që vepron nga 6 zyra në mbarë botën. 4 nga kolegët e Hananit morën pjesë në mbledhje, duke përfshirë vëllain e tij, Zohar Hanan, i cili u përshkrua si shefi ekzekutiv i grupit.
Në paraqitjen e tij fillestare për klientët e mundshëm, Hanan pohoi: “Tani jemi të përfshirë në një palë zgjedhjesh në Afrikë… Ne kemi një ekip në Greqi dhe një ekip në [Emiratet]… Ju ndiqni drejtimet. [Ne kemi përfunduar] 33 fushata në nivel presidencial, 27 prej të cilave ishin të suksesshme.” Më vonë, ai tha se ishte i përfshirë në dy “projekte të mëdha” në SHBA, por pretendoi se nuk angazhohej drejtpërdrejt në politikën amerikane.
Nuk është e mundur të verifikohen të gjitha pretendimet e “Skuadrës Jorge” pasi në takimet e fshehta Hanan edhe mund t’i kishte zbukuruar ato për të siguruar një marrëveshje fitimprurëse me klientët e mundshëm. Ekipi Jorge u tha gazetarëve se pranonin pagesa në një sërë monedhash, duke përfshirë kriptovalutat si bitcoin ose para. Ai tha se kërkonte nga 6 deri në 15 milionë euro për ndërhyrje në një proces zgjedhjesh.
Megjithatë, emailet e publikuara në “The Guardian” tregojnë se Hanan pranonte tarifa edhe më modeste. Një email tregon se në vitin 2015 ai kërkoi 160 000 dollarë nga kompania konsulente britanike, Cambridge Analytica për përfshirje në një fushatë 8-javore në një vend të Amerikës Latine.
Në vitin 2017, Hanan tentoi të punojë sërish për Cambridge Analytica, këtë herë në Kenia, por u refuzua nga konsulenca, e cila tha se “400 000 – 600 000 dollarë në muaj” ishte më shumë sesa do të paguanin klientët e saj.
Nuk ka asnjë provë që secila prej atyre fushatave ka vazhduar. Sidoqoftë, dokumente të tjera të zbuluara zbulojnë se kur Ekipi Jorge punoi fshehurazi në garën presidenciale të Nigerisë në 2015, e bëri këtë së bashku me Cambridge Analytica.
The Guardian dhe partnerët e saj raportues gjurmuan aktivitetin e robotëve të lidhur me Aims në të gjithë internetin. Ajo ishte pas fushatave të rreme të mediave sociale, që përfshinin kryesisht mosmarrëveshje tregtare, në rreth 20 vende, duke përfshirë Britaninë, SHBA, Kanadanë, Gjermaninë, Zvicrën, Meksikën, Senegalin, Indinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në shkrimin e gjatë të The Guardian nuk përmendet Shqipëria. ©LAPSI.al