“E bëra për të menaxhuar ankthet e mia”- Bill Klinton rrëfehet për aferën me Monica Lewinsky: Bëra seks me të për të lehtësuar presionet e punës

Ish-Presidenti i SHBA, Bill Klinton, ka rrëfyer në një dokumentar për “Daily Mail” për lidhjen e tij  me Monica Lewinsky, ndërsa tha se kjo kishte qenë një nga gjërat që kishte bërë për të menaxhuar ankthet.

Ish-presidenti tregoi se në kohën kur u takua me Lewinsky, presioni i punës e bëri atë të ndihej si “një boksier që kishte luftuar për 30 raunde” dhe se e kishte parë atë “si diçka për të hequr mendjen për pak kohë”.

Dokumentari do të transmetohet të premten, ndërsa Klinton i kërkon falje Lewinsky dhe thotë se u ndje keq që jeta e saj u përcaktua nga afera e tyre.

Ky skandal e çoi Klinton për t’u përgjigjur para Senatit, po ai i mbijetoi gjyqit dhe mbeti në detyrë gjatë mandatit të tij të dytë. Hera e fundit që ish-presidenti foli për skandalin ishte në vitin 2018, ku tha se nuk i detyrohej asnjë falje private Lewinsky-t.

Në dokumentarë flet edhe bashkëshortja e tij, Hillary Klinton, e cila thotë: “Unë thjeshtë u shkatërrova. Nuk mund ta besoja, isha shumë e lënduar personalisht”.

I pyetur pse ai vuri në një rrezik të tillë familjen, martesën dhe vendin e tij, Bill tha që nuk po mendonte për ato gjëra në ato momente.

Në vend të kësaj, presionet për të qenë në Shtëpinë e Bardhë e shtynë atë të kërkonte një shpërqendrim. Ai sqaroi më tej se ka luftuar me ankthin për vite dhe se tani është një tjetër njeri.

“Ndoshta është fakti që po plakem, por çfarëdo që bëra ishte e keqe, por nuk është se mendoja për gjënë më budallaqe që mund të bëja. Nuk është një mbrojtje, por shpjegim. Ndihem keq”, tha ai.

Pavarësisht të gjithave, bashkëshortja e tij vendosi t’i qëndronte pranë dhe ta ndihmonte të kalonte këto probleme.