Dyshohet se organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij, Naim Murseli dërgohet në psikiatri

Naim Murseli i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj është shtuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe do të qëndrojë aty edhe për javë të tjera.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhi Beqiri. i cili tregoi se Murseli sot është dërguar në Klinikën e Neurologjisë për kryerjen e ekzaminimeve.

“Është rast i ndjeshëm, është me vendim të gjykatës, ne punojmë vetëm me letra të gjykatës, kur të kryhet raporti e merrni vesh… Ai është i shtruar (në Psikiatri). Ai ka me qenë i shtruar edhe javë të tjera, derisa të përfundojmë. Do t’ia bëjmë të gjitha analizat, specifikacionet… Nga klinika juaj sot ka shkuar në Neurologji apo? Po, për ekzaminime që i kemi shkencore, asgjë tjetër”, tha Haxhibeqiri.

Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i Neurologjisë, Edmond Komoni për KosovaPress, i cili ka treguar se Murseli mëngjesin e sotëm ka kryer një elektrokardiogramë (EKG).

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 shkurt ka lëshuar urdhëresë që Instituti Psikiatrik Forenzik të bëjë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin Naim Murseli.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin. Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses të kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Në seancën e 4 qershorit trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes së Naim Murselit që i njëjti të kryejë ekzaminim psikiatrik.

Gjatë seancës fillestare, në këtë rast fajtor ishte deklaruar i përfshiri i katërt në aktakuzën për vrasjen e Ademajt, Tom Dodaj. Ai ishte përfshirë në aktakuzë, pasi ia ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Ademajt. Më pas trupi gjykues vendosi që Tom Dodaj u dënua me pesë vjet burgim dhe me gjobë prej 5 mijë eurosh.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar që vrasja të kryhej nga i akuzuari Granit Plava me marrëveshje që bashkëshorti i Liridona Ademaj, Naim Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro./Kosovapress/

voxnews.al