Dy vajza të vogla po luanin me shkrepëse, merr flakë pallati në Korçë
Kati i tretë i një pallati në qytetin e Korçës është përfshirë nga flakët, pasi dy vajzat e vogla të njërës prej familjeve po luanin me shkrepëse dhe më pas ka marrë flakë krevati e perdet. Familja ka arritur të dalë në kohë nga shtëpia dhe fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.
Sipas informacioneve, pallati që është përfshirë nga zjarri ndodhet në lagjen Nr.16 të qytetit. Dyshohet se në shtëpi ka pasur edhe një bombol gazi në kuzhinë. Zjarri ka shkaktuar frikë tek banorët të cilët kanë dalë jashtë.
Menjëherë pas sinjalizimit zjarrfikësja ndodhet në vendin e ngjarjes e po punon për shuarjen e flakëve.
“Erdhën dhe më lajmëruan disa fëmijë të lagjes që ka marrë zjarr, mora policinë se nuk e mbaja mend numrin e zjarrfikëses. Erdhi policia dhe erdhi zjarrfikësja. Pamë vetëm tym e kërcisnin xhamat. Ka qenë vetëm zonja me fëmijët, fëmijët janë të vegjël njëra 4 e tjetra 2 vjeç. Ata dolën para se të vinte zjarrfikësja”, tha njëri nga banorët e lagjes.