Dy lojtarët e Tiranës nuk duken te Besa, shefi i klubit: Ja e vërteta

Besa mbetet në pritje të huazimeve. Priteshin zhvillime dje, por në fushë nuk ka zbarkuar asnjë lojtar i ri. Derik Sasraku dhe Isak Giamfi janë lojtarët që do të transferohen nga Tirana në Kavajë, por marrëveshja nuk është mbyllur ende. Të pyetur rreth këtij lajmi, verdhezinjtë ngrenë supet. Ata deklarojnë se nuk janë në dijeni, ndërsa vendimi për hyrje-dalje është ekskluzivitet i presidentit Nexhat Bizhdili. Gazeta foli me shefin e klubit, Klejdi Zenelaj, i cili për këtë çështje thotë: “Nuk mund të deklarojmë asgjë në lidhje me futbollistë që janë nën kontratë me të tjera ekipe. Deri tani që po flasim, nuk ka asnjë njoftim apo marrëveshje zyrtare mes Besës apo ndonjë klubi tjetër.

Giamfi dhe Sasraku , dy futbollistët e Tiranës që priten të huazohen te Besa.

Por sigurisht që, për mua si shef klubi, një lojtar quhet i Besës kur ai del në seancën stërvitore me fanellën verdhezi dhe ka rënë ndërkohë dakord me presidentin tonë Bizhdili. Duke qenë pranë këtij të fundit, jam në dijeni se ai po vijon punën për të afruar në ekip lojtarë cilësorë që mund t’i sjellë në formë blerjeje apo huazimi. Dihet që Besa ka nevojë për përforcime dhe këtë trajneri Mërgjyshi ia ka thënë publikisht presidentit, por edhe mediave. Tani gjithçka varet nga presidenti dhe rezultati i tratativave që po bën. Nëse do të ketë diçka zyrtare, do ta bëjmë menjëherë publike”, ka thënë Zenelaj. Ndërkohë, trajneri Mërgjyshi nisur nga shtyrja e kampionatit, po kërkon një kundërshtar për t’u përballur në një miqësore ditën e shtunë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL