“Dua të largohem”- Balerina Isida Mollaymeri: Skena do rininë, e ndjej që jam në vitet e fundit të karrierës
Balerina e njohur e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Isida Mollaymeri, ka qenë e ftuar në në “Ditë pas dite”, ku rrëfeu si rrallëherë për profesionin si balerinë dhe gjithë sakrificat, që i është dashur të bëjë.
Ajo ka zbuluar se e donte shumë baletin, por ky nuk është profesion kaq i thjeshtë pasi kërkon shumë mund dhe sarkrifica. Isida ka treguar se që fëmijë i është dashur të heqë dorë nga lojërat me fëmijët e tjerë, për të shmangur në këtë mënyrë çdo dëmtim të mundshëm.
Isida ka pranuar se vazhdon të sakrifikojë me regjimin strikt ushqimor, duke hequr dorë nga të ushqyerit para shfaqjes për të qenë në formën më të mirë dhe kujdesin në tërësi, me një regjim që nuk i ngjan fare atij të një personi të thjeshtë.
“Vitin e fundit në Opera kanë ardhur vajza të reja, balerina të reja. Unë e di që skena do të bukurën, do rininë, ndaj e ndjej që jam në vitet e fundit të karrierës sepse dua të largohem sa jam në majë e jo kur të më lënë këmbët”, rrëfeu me sinqeritetin që e karakterizon Isida.
Balerina u tregua mjaft e hapur dhe kur u pyet nga gazetarja Fjodora Fjora për bërrylat në këtë ambient të botës së baletit, për luftën për të qenë balerinë e radhës së parë, siç kemi parë nëpër filma.
Këtu e qeshur Isida pranoi: “Po, 90% janë të vërteta”, ku la të nënkuptohej se realiteti i ngjasonte historisë së trajtuar në filmin “Black Swan”, një film horror psikologjik amerikan i vitit 2010 me regji të Darren Aronofsky, bazuar në një histori origjinale të Heinz, ku luan Natalie Portman.