Dua Lipa shpërthen në lot: S’jam e sigurt nëse po bëj gjënë e duhur

Albumi i Dua Lipas, “Future Nostalgia” do të publikohej më vonë, por gjërat nuk shkuan sipas planit dhe dikush e publikoi para kohe. Në një video në Instagram, mes lotësh, Dua ka njoftuar se është e detyruar ta publikojë albumin më 27 mars, më para nga ç’ishte planifikuar. Ajo nuk i ka mbajtur dot lotët, duke qenë se nuk ndihej mirë që do të publikonte një album në një kohë kur bota po vuan nga koronavirusi.

“Kam qenë në mëdyshje nëse është gjëja e duhur për t’u bërë tani, sepse shumë njerëz po vuajnë. Nuk jam e sigurt nëse po bëj gjënë e duhur, por mendoj se ajo për të cilën kemi më shumë nevojë tani është muzika. Na duhet gëzim dhe duhet të përpiqemi të shohim dritën. Shpresoj që t’ju bëj të buzëqeshni, shpresoj t’ju bëj të kërceni dhe shpresoj t’ju bëj krenarë”, -është shprehur Dua mes lotësh.

Gjatë kohës që fliste, këngëtarja fshinte vazhdimisht lotët dhe kërkoi falje që po bëhej shumë emocionale.

Këngëtarja njoftoi gjithashtu se turi i saj nëpër botë do të shtyhet për shkak të pandemisë globale. Datat e reja të turit në Britaninë e Madhe dhe Europë do të publikohen sot, ndërsa biletat do të jenë të vlefshme edhe për këto data.