Droga “tullumbace” namin në lokalet e Tiranës. Gazetarja: Tre të rinj humbën jetën!
Tullumbacet me azot në lokalet e Tiranës! Ky është kryelajmi i ditëve të fundit për një fenomen që po përhapet me shpejtësi në kryeqytet dhe jo vetëm. Tullumbacet që në përbërjen e tyre kanë një gaz azoti po helmojnë të rinjtë. Kjo tullumbace është kudo në lokalet e Tiranës dhe kushdo që e kërkon e gjen lehtësisht. Gazetarja Aida Topalli e ftuar në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTv foli për fenomenin 4 muaj më parë, ndërsa këto ditë ka filluar të përflitet aq shumë sa është kthyer në një rast fenomenal.
Gazetarja tregoi sot në DritareTv edhe rastin e disa të rinjve që humbën jetën para disa muajsh në një aksident te TEG-u, pasi kishin konsumuar tullumbace me azot.
“Kanë kaluar disa muaj që kur unë fola për herë të parë për tullumbacet me azot në studiot e DritareTv. Sot pas kaq shumë muajsh ky fenomen është bërë i njohur dhe policia po fillon të lëvizë. Ti sot në çdo lokal të Tiranës gjen tullumbace të cilat të shërbehen me faturë. Është një pagesë prej 3 deri në 5 mijë lekësh të vjetër. Madje shënohet edhe me emër, tullumbace. Mjafton t’i thuash kamerierit më jep një tullumbace dhe ai ta sjell. Në mars u bë një aksident te TEG-u ku humbën jetën 3 të rinj. Nga burime të sigurta mësova se, ata kishin konsumuar tullumbace dhe i kishin marrë edhe me vete. Pasojat ishin aksidenti i rëndë që ndodhi. Ragimi duhet të ishte i menjëhershëm dhe nuk do të kishim pasoja të tilla. Po i pinë fëmijët, adoleshentët. Nuk kanë as aromë dhe prindi nuk e kupton se çfarë ka konsumuar fëmija i tij është i pamundur. Është azot ai që konsumohet. Ligjërisht ti nuk e ndalon dot. Nuk e konsideron dot drogë.”, tha gazetarja në DritareTv./K.C/dritare.net