Dren Abazi: ”Dua të besoj që radio nuk e ka humbur fuqinë e saj”!

Top Albania Radio ka zhvilluar një mbrëmje gala në nder të 25 viteve të krijimit të saj, me sloganin e “25 viteve kujtime” (25 Years, Creating Memories) pa kurrëfarë nostalgjie për të shkuarën, por me shijen e mirë të saj, kjo radio rend drejt 25 viteve të ardhshëm, sido qofshin ata, të lehtë apo të mundimshëm, të artë apo të zymtë, pa ju trembur asgjëje, sepse diçka e krijuar me dashuri, që mbahet gjallë nga dashuria, frymon prej saj çdo ditë, është e sigurt në triumfin e pashmangshëm e të përjetshëm.

Në këtë mbrëmje gala mjaft të veçantë për radion më të dashur dhe më të pëlqyer nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, pjesëmarrës ishin të gjithë ata që kanë punuar për të, kanë dhënë një kontribut të madh dhe gjithmonë kanë qenë të palodhur. Yje nga bota e madhe e televizionit, artistë, këngëtarë, moderatorë, prezantues, aktorë dhe figura të tjera publike mjaft të njohura u mblodhën në Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për të festuar 25-vjetorin e radios më unike.

I ftuar këtë mbrëmje të veçantë, Dren Abazi tregon për dashurinë e madhe që ka për radion në përgjithësi dhe Top Albania Radio-n në veçanti.

Është kënaqësi të jem sonte këtu në një ditë kaq të shënuar të një medium shumë të rëndësishëm postkomunizmi, ju uroj gëzuar Top Albania Radio edhe qindra vite… Radio është shumë e rëndësishme, dua të besoj që radio nuk e ka humbur akoma fuqinë e saj. Radio na shoqëron gjithandej në rrugët e gjata, në makinë, padyshim që radio e ka vendin e vetë…

Ke ardhur i shoqëruar?

Kam ardhur me grupin. Nuk luaj dot pa ta.