Drejtori i Arkivës: Pse publikuam dokumentin sekret të floririt që mori me vete Zogu
Drejtori i Arkivës, Ardit Bido thotë se dokumenti sekret ku tregohej sasia e floririt që kishte marrë me vete Mbreti Zog pas largimit nga Shqipëria në vitin 1939, u publikua pasi tanimë ishte studiuar nga arkivistët.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bido u shpreh se në këtë dokument, një qytetar shqiptar i raporton milicisë fashsite, sasinë e floririt që kishte marrë Mbreti Zog, bazuar në informacionin e palës greke, pasi ky i fundit kishte kaluar kufirin.
Sipas Bidos, arkivat promovojnë vazhdimisht dokumente dhe shtoi se në këtë intstitucion, ka ende dosje që nuk janë hapur.
“Ne botojmë dokumente çdo ditë, është pjesë e promovimit tonë dhe nuk ka asnjë arsye konkrete përse një dokument del në një moment apo në një moment tjetër, sesa është fakti që arkivistët tonë, gjatë punës së tyre të përditshme, shohin dokumente që janë pak të studiuara ose aspak të studiuara. Ka me mijëra dosje në arkivë që nuk janë hapur kurrë nga studiuesit që në çastin që janë përpunuar.
Rrjedhimisht, para pak ditësh është botuar ky dokument në vazhdën e promovimit tonë. Bëhet fjalë për një dokument, ku një qytetar shqiptar me emrin Gjon Lusha, i raporton milicisë fashise se sipas informacioneve të marra nga pala greke, kur Mbreti Zog kaloi kufirin e Kapshticës për në Greqi, kishte një sasi prej 250 mijë napolona ari me vete, listohen edhe shifra që kishin edhe të tjerë personalitete që shoqëronin Mbretin Zog”, theksoi ai.