Drejtonte makinën me patentë të pavlefshme, policia ndalon Gerard Pique
I ndaluar nga policia gjatë një kontrolli rutinë të javës së kaluar, në timonin e automjetit të tij, Gerard Pique është kapur në flagrancë teksa e drejtonte atë pa një patentë të vlefshme, duke qenë se nga 12 pikët që u jepen çdo drejtues mjeti në Spanjë nuk i kishte mbetur asnjë…faji i shkeljeve të shumta! Në të tilla raste, ligji parashikon moslejimin e drejtimit të automjetit për sa kohë që nuk ndiqet një kurs 24 orësh dhe nuk kalohet testi i patentës. Për këtë shkelje parashikohet gjithashtu një dënim me burg për 6 muaj, ose një gjobë prej 6.000 eurosh. Autoritetet e Qarkullimit Rrugor e kishin konfirmuar për mediet faktin që Piquesë i ishin ezauruar pikët e patentës, ndaj futbollisti i martuar me këngëtaren Shakira nuk ka sesi të pretendojë se nuk ishte në dijeni. Megjithatë, nga sa raporton “The Sun”, Barcelona ka vendosur të mos ndërmarrë sanksione të mëtejshme për qendërmbrojtësin e saj, veç masave të vendosura nga policia. “Bëhet fjalë për një çështje private”, shpjegoi zëdhënësi i klubit katalanas, Josep Vives, ndërsa trajneri Ernesto Valverde ka shprehur bindjen se, gjithçka ka ndodhur “nuk do të ndikojë aspak në paraqitjet e futbollistit, i cili pritet ta kalojë në mënyrë profesionale këtë problem”. Gjëja e parë që ngarkohej ndaj Piquesë tani ishte gjetja e një mjeti transporti për të shkuar në stërvitje. Por, në vend që të paguante një shofer, apo t’i kërkonte nder njërit prej shokëve të skuadrës, kampioni “blaugrana” vendosi të shkonte në qendrën stërvitore me një biçikletë elektrike të personalizuar./Top Channel