Drejt zhdukjes! Profesor Tupja: Do vijë dita kur do themi: “do you parlate shqipish”
Ai është një nga personazhet publik më interesantë, jo vetëm për statusin që ka, por mbi të gjitha për temat që trajton sa herë që është i ftuar në studio dhe emisione të ndryshme.
Shkrimtari dhe profesori Edmond Tupja ka folur mbi mundësinë e zhdukjes së gjuhës shqipe apo transformimit të skajshëm të saj si pasojë e globalizimin gjuhësor dhe kulturor.
Profesor Tupja u shpreh se beteja që bëjnë ata që e duan gjuhën shqipe ishte gjysma e humbur sepse njerëzit në Shqipëri vendosin interesin ekonomik para çdo gjëje.
Mesa duket beteja që bëjnë ata që e duan gjuhën shqipe është tashmë gjysma e humbur. Më vjen keq që po e them sepse pavarësisht përpjekjeve që po bëjnë gjuhëtarët, po shoh se nuk po fryn erë e mbarë për gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar.
Në një vend të varfër si Shqipëria, interesi kryesor është ekonomik dhe shesin jo vetëm votën por edhe shpirtin për një grusht parash. Kjo mua më pezmaton dhe më hidhëron jashtë mase dhe nuk jam i vetmi fatkeqësisht.
Do vijë dita që do themi: Do you parlate shqipish? Që të merremi vesh midis nesh”– u shpreh profesori ndër të tjera. Profesori po na e thotë që tani, kush ka vesh le ta dëgjojë, kush nuk do ta besojë, le të mos e besojë.