Drejt falimentit “Cirku i diellit”
Pandemia e koronavirusit ka detyruar Kompaninë e të famshmit “Cirku i diellit” të shkurtojë 3500 vende për të evituar falimentimin.
Grupi kanadez, i njohur për cirkun e tij fantastik, të lëvizshëm, do t’i nënshtorhet ristrukturimit duke lënë kështu pa punë rreth 95 për qind të stafit të saj.
“Me zero të ardhura që nga mbyllja e detyruar e të gjithë spektakleve për shkak të Covid-19, drejtuesit kanë vendosur të ndërhyjnë fort”, tha presidenti Daniel Lamarre.
Kompania është detyruar të ndalojë mbajtjen e të gjithë spektakleve, përfshirë gjashtë të parashikuar për tu shfaqur në Las Vegas, që nga marsi.
Kompania ka gati një marrëveshje me provincën e Kebekut, ku kanë edhe qendrën, sipas të cilës, aksionerët ekzistues do të marrin në dorë likuiditetet e cirkut dhe do të investojnë 300 milionë dollarë në biznes.
Po ashtu do të krijohet një fond ndihm për punonjësit e prekur dhe kontraktorët.
Drejtuesit nënvizojnë se kur të kthehet normaliteti, shumica e punonjësve të shkurtuar do të ripunësohen.