Dr. Anisa Liço: Njerëzit stresohen sepse e krahasojnë veten me të tjerët, të gjitha argumentet pse paratë s’na bëjnë dot të lumtur!
Ju ndodh t’u bëjnë pyetjen “A je i/e lumtur?”, dhe të ndaloni për një moment që të jepni përgjigjen e duhur?! Padiskutim që po, por lind pyetja: “Çfarë është lumturia?” E sipas “Psychology Today”, destinacionit online më të madh në botë për shëndetin mendor dhe shkencën e sjelljes, lumturia është një gjendje elektrizuese dhe e pakapshme. Më shumë se humor pozitiv, lumturia është një gjendje e mirëqenies që përfshin të jetuarit e një jete të mirë, me një ndjenjë kuptimi dhe kënaqësie të thellë. Arritja e lumturisë është një përpjekje globale. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit nga çdo cep i botës e vlerësojnë lumturinë më të rëndësishme se rezultatet e tjera të dëshirueshme personale, të tilla si fitimi i pasurisë, blerja e të mirave materiale dhe hyrja në parajsë. Njerëzit e lumtur jetojnë me qëllime të caktuara . Ata gjejnë gëzim në marrëdhënie të qëndrueshme, duke punuar drejt qëllimeve të tyre dhe duke jetuar sipas vlerave të tyre. Personi i lumtur nuk është i dashuruar pas të mirave materiale apo pushimeve luksoze. Ky person është mirë me kënaqësitë e thjeshta të jetës – të përkëdhel një qen, të ulet nën një pemë, të shijojë një filxhan çaj. Disa nga shenjat e jashtme që tregojnë se dikush është i lumtur janë: Është i hapur për të mësuar gjëra të reja; Është i lartë në përulësi dhe durim; Buzëqesh dhe qesh me gatishmëri; Shkon me rrjedhën; Ushtron dhembshuri; Shpesh është mirënjohës; Ushtron kujdes për veten; Gëzon marrëdhënie të shëndetshme; Është i lumtur për njerëzit e tjerë; Jep dhe merr pa mundim; Jeton me kuptim dhe qëllim; Nuk është keqdashës apo fyes; Nuk ironizon të tjerët; Nuk bën lojëra; Nuk viktimizohet etj.
Të ndihesh i lumtur ka edhe përfitimet e veta shëndetësore. Një numër në rritje i kërkimeve sugjeron gjithashtu se lumturia mund të përmirësojë shëndetin fizik; ndjenjat e pozitivitetit dhe përmbushjes duket se përmirësojnë ndër të tjera shëndetin kardiovaskular, sistemin imunitar, nivelet e inflamacionit dhe presionin e gjakut. Lumturia madje është e lidhur me një jetëgjatësi më të gjatë, si dhe me një cilësi më të lartë jete dhe mirëqenie. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Harëard School of Public Health, Laura Kubzansky (profesoreshë e asoociuar e HSPH për shoqërinë, zhvillimin njerëzor dhe shëndetin) gjatë studimit të vitit 2007 në të cilin morrën pjesë më shumë se 6000 burra dhe gra të moshës 25 deri në 74 vjeç për 20 vjet, zbuloi se vitaliteti emocional – një ndjenjë entuziazmi, shprese, angazhimi në jetë dhe aftësia për të përballuar streset e jetës me ekuilibri emocional – zvogëlon rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës. Efekti mbrojtës ishte i dallueshëm dhe i matshëm, edhe kur merreshin parasysh sjellje të tilla të dobishme si mospirja e duhanit dhe aktiviteti fizik i rregullt.
Perceptimet e gabuara janë të shumta kur bëhet fjalë për atë që ne mendojmë se do të na bëjë të lumtur. Njerëzit shpesh besojnë se lumturia do të arrihet sapo të arrijnë një moment historik të caktuar, si gjetja e partnerit të përsosur ose marrja e një rroge të caktuar. Njerëzit mendojnë se paratë i bëjnë të lumtur. Megjithatë, studime të ndryshme kanë treguar se për njerëzit për të cilët paratë nuk janë për mbijetesë, dhe nëse këta individë nuk shqetësohen për mbijetesën, më shumë para nuk e rrisin lumturinë. Arsyeja kryesore është pasi ata përshtaten me rrethanat e reja, që do të thotë se njerëzit do të mësohen me pasurinë e tyre të re, do të kthehen në nivelin bazë të lumturisë dhe do të kërkojnë arritjen e ardhshme.
Ekziston një përjashtim në marrëdhënien midis parasë dhe lumturisë dhe ai është për njerëzit e varfër. Në këtë rast, për njerëzit që paratë janë për mbijetesë, më shumë para e rrisin lumturinë sepse paratë janë jetë shpëtuese.
Disa nga mitet e lumturisë: “Do të jem i lumtur kur të jem i pasur dhe i suksesshëm”. “Do të jem i lumtur kur të martohem me personin e duhur”. “Fillimi i punës sime të ëndrrave do të më bëjë të lumtur”. “Nuk mund të jem i lumtur kur marrëdhënia ime është shkatërruar”. “Unë kurrë nuk do të shërohem nga kjo diagnozë”. “Vitet më të mira të jetës sime kanë mbaruar”, etj.
Sipas “Stanford Encyclopedia of Philosophy”, filozofët që shkruajnë për lumturinë zakonisht e konsiderojnë këtë temë si një nga dy aspekte, ku secila korrespondon me një kuptim të ndryshëm të termit:
1. Një gjendje shpirtërore. Këtu përfshihet kënaqësia e jetës dhe gjendja emocionale pozitive.
2. Një jetë që shkon mirë për personin që e udhëheq atë. Lumturia në këtë kuptim ka të bëjë me atë që i sjell dobi një personi, është e mirë për të, e bën atë të ndihet mirë, u shërben interesave të tij ose është e dëshirueshme për të.
Më e rëndësishmja, të atribuosh lumturinë në kuptimin e mirëqenies do të thotë të bësh një gjykim të vlerave: që do të thotë se nëse ju dhe unë kemi vlera të ndryshme, atëherë ne ndryshojmë në aspektin se cilën jetë e konsiderojmë të lumtur.
Sipas World Happiness Report 2022, Finlanda është shpallur vendi më i lumtur në botë për të pestin vit radhazi, e ndjekur nga Danimarka, Islanda, Zvicra dhe Holanda. Afganistani u rendit si vendi më i palumtur, i ndjekur nga Libani, Zimbabve, Ruanda dhe Botsvana, respektivisht.
Shtetet e Bashkuara arritën në vendin e 16-të, Britania u rendit e 17-ta dhe Franca e 20-ta, ndërsa Shqipëria renditet ne vendin e 90-të.
Dr. Catherine Sanderson, profesoreshë e psikologjisë e specializuar në fushën e “Health and Development” në Stanford University, rekomandon dhjetë ndryshime pa kosto për të rritur lumturinë, të cilat përfshijnë ndryshimin e sjelljes dhe ushqim i shëndetshëm i pasur me fibra dhe Omega-3; gjetja e partnerit të duhur dhe krijimi i një marrëdhënie që në thelb ka mirëkuptimin; lexoni një libër që ju pëlqen madje lexojeni atë disa herë; mbani një ditar mirënjohjeje; bëni një vizitë mirënjohjeje; buzëqeshni edhe kur nuk jeni të lumtur; performoni akte të rastësishme dashamirësie qoftë kjo një dhuratë për dikë tjetër; shpenzoni para për gjërat e duhura; shmangni krahasimet dhe ndërtoni marrëdhënie të ngushta dhe që kane kuptim për ju. Këto janë dhjetë gjëra të lehta për t’u bërë nga të gjithë dhe më e rëndësishmja, ato janë kryesisht pa pagesë. Për shembull, ne mund të ndryshojmë sjelljen tonë duke u ushtruar më shumë dhe duke fjetur më shumë. Kjo do të na ndihmojë të reduktojmë stresin dhe do të na bëjë të ndihemi më mirë. Nga ana tjetër, stërvitja përmirëson pamjen tonë, dhe kjo do të rriste vetëvlerësimin. Vetëvlerësimi më i lartë do të thotë më shumë lumturi. Gjetja e partnerit që përputhet është vërtet e rëndësishme sepse redukton argumentet e panevojshme që ulin lumturinë. Buzëqeshjet kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në lumturi sepse i bëjnë njerëzit të duken më të bukur dhe shprehin më shumë energji pozitive që është një rreth vicioz që rrit lumturinë. Ajo që po “vret”shoqërinë sot janë krahasimet. Njerëzit stresohen pa arsye vetëm sepse e krahasojnë veten me të tjerët, dhe kjo kryesisht falë mediave sociale. Marrëdhëniet e ngushta janë marrëdhënie në të cilat mund të gjeni mbështetje kur është e nevojshme. Sidomos në kohë të vështira këto lloj marrëdhëniesh reduktojnë ankthin, shprehin energji pozitive dhe ju mbështesin sepse këto janë marrëdhënie me njerëz që kujdesen për ju. Sipas artikullit të publikuar në revistën “Science” “Shpenzimi i parave për të tjerët nxit lumturinë”, shpenzimi i parave për njerëzit e tjerë mund të ketë një ndikim më pozitiv në lumturi sesa shpenzimi i parave për veten. /www.story.al
Shënim: Artikulli në autorësinë e revistës “Story”, është shkruar nga Dr. Anisa Lico, Kirurge e Përgjithshme