Doruntina Hoxha: Po depërtoj në muzikën shqiptare si grua e martuar, pse dalloj mes këngëtareve të famshme që shesin trupin për famë

Që nga kënga me titull “Bashkë” në duet me Hekuran Krasniqin, Doruntina Hoxha ka realizuar 12 këngë, të fundit me Fifin, që është edhe projekti të cilin e ka më shumë për zemër. Po kush është Doruntina Hoxha në tregun e muzikës sot, e cila po depërton me hapa të shpejtë në muzikës shqiptare? Ajo ka lindur në Munich, në tetor të vitit 1994 në një familje që vjen nga rrethi i Pejës, nga fshati Graboc. E rritur në Freising, një qytet i vogël afër Munihut ku mbaroi studimet, ajo aktualisht punon si ndihmës stomatologe. Për martesën, paratë që realizon projektet muzikore, rivalet në skenë, këngëtaren e preferuar dhe prapaskenat e një tregu shumë të komplikuar, Doruntina Hoxha (Selmanaj) i rrëfen në këtë intervistë për revistën “Story”.

Po hyn tashmë në tregun e muzikës me ritme të shpejta, cila mendon se është arma jote e fortë?
Arma ime më e fortë është dëshira e madhe për muzikë, kështu që vetes ia kam bërë si detyrim që ëndrrën time ta bëj realitet.
Nga këngët që ke realizuar tani, cilën ke më për zemër, pra që mund të veçohet si kënga jote më e bukur?
Hu! Unë të them të drejtën, te 12 këngët e mia i kam për zemër, po e para për mua, pra bashkëpunimi me Hekuran Krasniqin do të jetë gjithmonë e veçantë, dhe po ashtu kënga e fundit, realizuar nga “MAX Production” me Alandy dhe Fifin. Me ndihmën e Alandy-t jemi në një shkallë më lart, dhe për mua është kënga që më pëlqen më së shumti.
Dimë që klipet kushtojnë, kush shpenzon për ty?
Sigurisht, që unë nuk kam mundësi financiare. Kështu në fillim shpenzuan prindërit, por tani për gjithçka shpenzon motra ime Gentiana, e cila që nga fillimi më ka përkrahur. Në këtë rast nuk mund të lë mënjanë sponsorët dhe në veçati “Studio By Heki”, pra Hekuran Krasniqin në fillim, dhe tani “Max Production” e personalisht Bledin, që kanë shumë kujdes në çmimet e videoklipeve, dhe për mua kjo është një ndihmë e madhe.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e këngëtareve ke hyrë në tregun e muzikës me statusin e martuar. Eshtë më e vështirë apo më e thjeshtë të bësh karrierë si grua me një burrë në krah?
Për mua muzika ka qenë edhe para se të mendoja për martesë. Kështu që martesën e kam realizuar ashtu siç kam ëndërruar, dhe nuk e kam pasur të vështirë, por përkundrazi e kam më të lehtë, duke parë edhe dëshirën e përkrahjen e bashkëshortit.
Ekziston një paragjykim për këngëtarët, të cilat e arrijnë famën duke ekspozuar linjat. Ti ç’mund të thuash për këtë stereotip, dhe si mund t’i shpëtosh këtij paragjykimi?
(qesh) Që kur fillova t’i hyj karrierës në muzikë e kam ndjekur secilën këngëtare, e realisht të gjitha më pëlqejnë. Shumë pak prej tyre nuk më pëlqejnë. Gjithsecila e ka zgjedhur se si të arrijë sukses në karrierë, të shesë trupin apo të performojë brenda moralit që e ka ajo vetë. Unë për vete nuk do e ekspozoj trupin jashtë normave morale që kam. Mendoj se pjesët e trupit që janë intime duhet të mbeten intime.
Këngëtarja në hapat e së cilët dëshiron të ecësh?
Veçoj Elvana Gjatën.