Dolën gjallë nga rrënojat, por vdiqën më pas. Mjeku tregon arsyen
Diena Karanxha, Saimir Gregu dhe Klement Çupi ishin mes 49 viktimave që shkaktoi tërmeti tragjik i mëngjesit të së martës. Ata u nxorrën gjallë dhe të vetëdijshëm nga rrënojat, ndërsa papritur u dha lajmi se kishin ndërruar jetë në spital.
Diena ishte e vetëdijshme duke u thënë ekipeve të shpëtimit që ta linin të ndërronte jetë nën rrënoja ku kishte humbur edhe vajzën, ndërsa Klement Çupi bënte shaka me ekipin e shpëtimit grek dhe të afërmit duke thënë se duhej të pinin kafe pasi të mbaronte e gjithë kjo. Ndërkohë, Saimir Gregu komunikoi gjatë gjithë ditës me ekipet e shpëtimit deri në nxjerrjen e tij në orët e pasdites së datës 26 nëntor.
Por, më pas ata ndërruan jetë. Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, vdekja e tyre lidhet me shkatërrimin e muskujve fillimisht, e cila bën që në gjak të injektohet emiozinë me sasi të lartë duke nxjerrë jashtë funksionit fillimisht veshkat dhe më pas organet e tjera.
“Probemi i personave që dalin nga rrënojat lidhet me kohën që kanë ndejtur aty dhe sa dëmtime kanë tek indet e buta, pra muskujt. Shkatërrimi i muskujve shkakton çlirimin e emiozinës, e cila futet fillimisht në gjak dhe përfundon në veshka duke mos u eliminuar nga veshka gjë që shkakton insuficiencë renale dhe më pas mos funksionim të organeve të tjera që çon në vdekje”, ka thënë Brataj për ABC News.