Doktoreshë Anisa Lico nga Shqipëria në SHBA: “Vajza, dhurata më e bukur e çdo feste që më frymëzon t’i shkruaj poezi”
Dr. Anisa Liço, tashmë e njohur dhe si doktoresha e artikujve mjekësorë në revistën “Story”, ia dedikoi artikullin e saj të parë për Vitin e Ri 2023, pikërisht konceptit të lumturisë, kaq shumë i diskutuar në kohët moderne.
Në shkrimin për lumturinë, të publikuar në revistë dedikuar atmosferës festive, doktoresha shkruante nga pozitat e mjekes: “Të ndihesh i/e lumtur ka përfitimet e veta shëndetësore. Një numër në rritje i kërkimeve sugjeron gjithashtu se lumturia mund të përmirësojë shëndetin fizik; ndjenjat e pozitivitetit dhe përmbushjes duket se përmirësojnë ndër të tjera shëndetin kardiovaskular, sistemin imunitar, nivelet e inflamacionit dhe presionin e gjakut. Lumturia madje është e lidhur me jetëgjatësinë, si dhe me një cilësi më të lartë jete dhe mirëqenie”.
Përmes këtij artikulli, Dr. Anisa Liço jep këshilla të vlefshme, në lidhje me mitet dhe të vërtetat e lumturisë. Kujtojmë se Dr. Liço pas përfundimit të studimeve universitare në mjekësi dhe atyre pas universitare në kirurgji, prej disa vitesh studion dhe jeton së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj të vogël në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është e pasionuar pas kirurgjisë kozmetike dhe rikonstruktive.
Domosdoshmëria sipas doktoreshës për të qenë profesionalisht e formuar në dhënien e ndihmës dhe suportit të duhur psikologjik që sidomos këta pacientë, por jo vetëm, kanë nevojë, kanë bërë që të ndjekë trajnime të kirurgjisë kozmetike, dhe krahas tyre shumë shpejt do të diplomohet dhe me titullin “Associate” në fushën e Psikologjisë. Për të mësuar më shumë rreth saj, Dr. Liço ndau me ne dhe një foto shumë të ëmbël me familjen e saj të vogël në këtë atmosferë festash.
Sipas saj, sidomos për një femër në karrierë, krijimi i një familje të shëndetshme është shumë e rëndësishme dhe bukuria e saj ndihet aq me tepër në periudhë festash. Ajo e quan vajzën e saj të vogël: “Dhurata më e bukur e çdo feste”.
Mesa duket vogëlushja është burimi i frymëzimit të dhjetëra poezive të ëmbla, që doktoresha ka shkruar për të në vëllimin poetik me titull “Për Ty”, një nga poezitë e të cilit është teksti i një kënge shoqëruar me videoklip kushtuar bukuroshes së vogël për 2-vjetorin e lindjes, projekt të cilin familja e vogëlushes nuk ka vendosur ta bëjë publik. E pyetur se çfarë i mungon më tepër nga Shqipëria, doktoresha shprehet se “padyshim familja, madje më mungon shumë, kur jemi larg e kuptojmë sa e rëndësishme është të kesh familjen pranë”.