Do të linte Gjermaninë, Zhaku heq dorë nga politika për t’u rikthyer tek partneri i saj

Inida Gjata ose e njohur nga të gjithë si Zhaku njoftoi rreth muajit maj të këtij viti se do të krijonte një parti të re politike, të cilën vendosi ta emërojë “Partia për zhvillim kombëtar”. Ngritjen e një force të re politike, Zhaku e bëri të ditur me anë të një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ku njëherazi bëri dhe thirrje për mbledhjen e firmave për ta regjistruar atë në gjykatë.

“Miq, a jeni gati të mbledhim bashkërisht të paktën 3000 firma votuesish për të regjistruar lëvizjen tonë politike në gjykatë? Nëse jeni të gatshëm, duhet si më poshtë: Kërkesë për regjistrimin e Partisë për Zhvillimin Kombëtar dhe emër, mbiemër, numri personal, vendbanimi dhe firma. Mund të mblidhni lirisht sa të doni dhe do të jemi në kontakt të vazhdueshëm bashkë për çdo informacion dhe detaj. Bashkimi bën fuqinë!“, shkruajti ajo në postimin e saj në “Facebook”.

Menjëherë pas këtij momenti ajo u shpreh në një intervistë për Adi Krastën në ‘A-Show’ se do të kthehej në Shqipëri për të themeluar një parti nisur nga situata ku kryeministri Rama e ka çuar vendin sipas saj.

Megjithatë dëshira për të vazhduar angazhimin e saj politik duket se nuk ka vazhduar për shumë kohë dhe këtë e ka zbuluar vetë Inida në postimin e fundit në rrjetet sociale.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ajo ka bërë të ditur largimin e saj nga politika. Inida ka shpjeguar njëherazi faktin se pse prej disa kohësh njerëzit nuk kanë dëgjuar asnjë lajm prej saj dhe cilat pritet të jenë gjërat në të cilat do të fokusohet.

“Miq të dashur, më vjen keq që jam zhdukur për një kohë të gjatë pa habere nga unë. Unë kam vendosur të shoh interesat e mia private dhe nuk do merrem më kurrë me politikë në jetën time, perveçse si artiste. Jam mirë, jam e lumtur dhe e rikthyer me burrin tim. Ju uroj të gjithëve fat dhe mbarësi dhe ju këroj ndjesë që ju zhgënjeva me këtë vendim kaq egoist, ku pashë vetëm interesin tim. Ju falenderoj shumë për besimin, përkrahjen dhe angazhimin. Ndihem me fat që ju kam dhe uroj t´jua shpërblej ndonjë ditë ”, ka shkruar Gjata në postimin e disa orëve më parë në rrjetet sociale.

Inida ka vendosur tashmë t’i përkushtohet bashkëshortit dhe çdo impenjimi tjetër që nuk e lidh më me politikën, duke hequr dorë përfundimisht nga ky rrugëtim./revistawho.com