“Djali u shokua, mbante veshët mbyllur”, si u vra aksidentalisht në bilardo efektivi i FNSH-së. Kur pa të birin që i kishte drejtuar armën…
Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin të dielën që lamë pas, ku efektivi i FNSH-së, Roland Bicerri, mbeti i vrarë aksidentalisht nga djali i tij 7-vjeçar, në rrugën “Shyqyri Brari”, pranë Kopshtit Zoologjik.
Por çfarë ndodhi ditën e tragjedisë?
Roland Bicerri së bashku me djalin e tij të mitur D. Bicerri kishin takuar në kafe shokun e tij Klajdi.B, i cili ishte ulur së bashku me babanë dhe vëllanë e tij. Pasi kanë konsumuar kafen, Klajdi.B ka dashur të largohet, por Roland Bicerri ka këmbëngulur që të luajnë bilardo së bashku. Ata kanë shkuar tek bilardo dhe Roland Bicerri ka nisur lojën e bilardos me shokun e Klajdi.B, Freard.R.
Sipas dokumentit të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, pasi kanë bërë disa lojë, diku nga loja e katërt ka ndodhur edhe tragjedia. Rolandi më parë kishte hequr armën e tij dhe e kishte lënë në një karrige pranë bilardos, pasi e pengonte në lojë. Klajdi.B tregon se ishte ngritur në momentin që ndodhi ngjarja dhe po shikonte lojën. Në një moment Roland Bicerri ka parë djalin e tij 7-vjeç që kishte kapur armën dhe ia kishte drejtuar. Ai është kthyer menjëherë, por sapo ka tentuar që të flasë, fëmija ka shkrepur armën duke e qëlluar në brinjë. Më pas ai ka rënë në gjunjë.
Shoku i viktimës, Klajdi.B ka nxituar për t’i marrë armën fëmijës dhe pasi i ka hequr karikatorin, e ka lënë atë po në karrigen ku fillimisht ishte lënë nga efektivi i FNSH, Roland Bicerri. Sipas dëshmive, djali i mitur ishte shokuar dhe gjatë gjithë kohës mbante veshët e zënë me gishtat e dorës. Fëmija është nxjerrë jashtë nga personat e pranishëm në vendngjarje.
Ndërkohë sipas grupit hetimor, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Shyqyri Brari”, ku Roland Bicerri është vrarë me pistoletë Glock nga djali i tij. Sipas tyre në pistoletë janë gjetur edhe 6 fishekë, ndërsa në poshtë një tavoline është gjetur edhe predha që i mori jetën efektivit të FNSH. Viktima, plumbin që i kushtoi jetën e ka marrë në hapësirën 7-8 tek ndërbrinjët në anën e majtë./tch