“Djali më tha se po e vrisnin”/ Babai i Kastriot Demës tregon momentet kur u dhunua i biri: Kishte lajmëruar Policinë, por…
Konflikti për pronësinë e një restoranti dyshohet se është shkaku i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Vilë Bashtovë të Kavajës.
Shtetasja italiane Carlota Dossena dhe bashkëshorti i saj Kastriot Dema kanë përfunduar në spital pas një sulmi në biznesin e tyre, në Vilë Bashtovë. Gruaja, e cila ndodhet në spitalin e Rrogozhinës me plagë të lehta në dorë pretendon se është plagosur nga burri i saj, por nuk jep detaje të tjera rreth ngjarjes. Nga ana tjetër në Spitalin e Durrësit, në gjendje më të rëndë ndodhet Kastriot Dema, i cili në një intervistë për “News 24” ka treguar versionin e tij të ngjarjes, duke pretenduar se gruaja e tij ka bashkëpunuar me kuzhinierin e restorantit dhe persona të tjerë për këtë sulm. Madje ai ka filmuar kuzhinierin, i cili tashmë është arrestuar nga Policia, teksa e kërcënonte dhe fyente. “Në 2 të natës dëgjoj emrin tim. O Kastriot do të bëj këtë, do të bëj atë duke më sharë. Kuzhinieri, punëtori i ishbashkëshortes, hipën në ballkon dhe çan derën. Dal nga dera dhe sa dola ishte Carlota dhe ky tjetri, me çelës papagall dhe thikë. Thikën ia hoqa nga duart dhe u largova. U lirova dhe ika te babai, pastaj nuk mbaj më mend”, shprehet Kastriot Dema.
Një shtetase italiane është transportuar me plagë në Spitalin e Rrogozhinës gjatë orëve të vona të natës, duke gdhirë dita e djeshme dhe ka pretenduar se e ka plagosur me thikë burri i saj shqiptar, Kastriot Dema, 35 vjeç. Dema është i martuar prej vitesh me shtetasen italiane Carlota Dossena, me të cilën ka dy fëmijë dhe një biznes privat në këtë zonë. Burime nga Policia e Kavajës thanë dje se shtetasja italiane ka vetëm një plagë të lehtë në dorë, më tepër si gërvishtje. Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj, Kastriot Dema, është paraqitur po ashtu për mjekim dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Durrësit, me plagë më të rënda se e shoqja. Dossena ka dëshmuar në Polici se kur ka ndodhur ngjarja ajo ka qenë duke festuar ditëlindjen në dhomën e saj në hotel me disa të ftuar. Bashkëshorti i saj ndodhej gjithashtu në hotelin e tyre, por në dhomë tjetër, pasi ndaj tij kishte një masë sigurie “Arrest në shtëpi”, pasi ishte i akuzuar për dhunë në familje.
DESHMITARËT
Sipas banorëve të zonës shkak i debatit të së mërkurës mbrëma është bere ditëlindja e Carlotës, e cila ka festuar ditëlindjen në shoqërinë e disa meshkujve të tjerë. Pas disa orësh që ka filluar festa mendohet se janë konfliktuar me Kastriotin, ku ky i fundit, dyshohet se duke u përleshur me personat që e sulmuan në prezencë të bashkëshortes, teksa i hiqte thikën nga dora njërit prej tyre, ka gërvishtur bashkëshorten. Sipas banorëve të zonës Kastrioti është përleshur dhe me personat e tjerë, të cilët ishin prezent në lokal. “Gjykata le ta japë të drejtën. Italiania le të divorcohet në Itali. Nuk ka shkuar mirë dhe janë në proces divorci. Nuk e dimë se kush është fajtori, kanë dy fëmijë, i kanë në Itali i mban me dado. I kanë përzënë në Itali dhe se di se si rrinë pa i parë fëmijët. Vajza është 7 vjeç, djali 3 vjeç. Ai ka qenë në arrest dhe ka vazhduar gruaja me biznesin. Ata patën konflikt dhe biznesin e ka vazhduar ajo. Ajo ka qenë me lloj-lloj shoku aty edhe si mund të durojë ai që të vijë gruaja aty. Aty e la, nuk e di se si e kanë lënë, të rrijë në shtëpi të vet, por në arrest. Këta vetëm e shtyjnë divorcin”, tha një banore e zonës.
Babai i 35-vjeçarit: Djali më tha se po e vrisnin
Babai i 35-vjeçarit Kastriot Dema rrëfen se u përball me agresorin, kuzhinierin e restorantit, të cilin e kishte parë me një thikë në dorë. Apeli i tij i drejtohet shtetit për të bërë drejtësi për këtë ngjarje. “Më mori në telefon djali, ‘baba tha po më vrasin’. Unë kam qenë te parkimi i makinave, pa asgjë në dorë. U dorëzova dhe i thashë unë s’kam asnjë mjet me bo luftë me ju. Kuzhinieri dhe kamerieri, ajo rrinte pak më tutje më erdhën të dy afër dhe në momentin që ai po ia bënte me dorë, thika e gjatë e kuzhinës ra poshtë. Mora djalin me gjak si ishte me makinë. Djali kishte lajmëruar Policinë, por nuk kishte ardhur akoma. Ne kërkojmë vetëm drejtësi”, tha babai. Kastriot Dema qëndronte në një prej dhomave të hotelit të tij, pasi ishte në “Arrest shtëpie” për akuzën e dhunës në familje. 35-vjeçari dhe shtetasja italiane Carlota Dossena janë në proces divorci.