Djali 5-vjeçar i Elia ndahet nga jeta papritur: tragjedi para sfidës së Champions
Rezultati përfundimtar i ndeshjes Stuttgart-Young Boys, e cila përfundoi 5-1 për gjermanët, kaloi plotësisht në plan të dytë. Ndeshja e Champions League u shoqërua nga një lajm tragjik që tronditi ekipin zviceran dhe la pa fjalë edhe kundërshtarët. Klubi Young Boys, në prag të ndeshjes, publikoi një njoftim ku sqaronte se sulmuesi Meschack Elia nuk do të ishte i pranishëm për shkak të vdekjes së njërit prej fëmijëve të tij: një nga binjakët e tij, vetëm 5 vjeç. “Ai ndërroi jetë në mënyrë krejt të papritur pas një sëmundjeje të shkurtër,” shkroi klubi.
Në deklaratën e tyre, Young Boys shpjegoi: “Të martën në mbrëmje morëm një lajm të tmerrshëm. Partnerja e futbollistit tonë Elia ishte nisur me dy fëmijët e tyre drejt Republikës Demokratike të Kongos, ku ndodhi ngjarja tragjike. Elia do të kthehet fillimisht në Bernë dhe më pas menjëherë do të udhëtojë për të qenë pranë familjes së tij”.
Pak para fillimit të ndeshjes, ekipi i Young Boys hyri në fushë me shirit të zi në krah, dhe më pas u mbajt një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e fëmijës. Goli i vetëm i shënuar nga zviceranët në ndeshje u festua duke treguar fanellën e Elia, si një shenjë solidariteti dhe respekti për shokun e ekipit.
Mesazhi i Young Boys pas tragjedisë
Klubi zviceran shprehu mbështetjen e tij për sulmuesin: “BSC Young Boys është i tronditur dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për Meschack Elia dhe familjen e tij. I urojmë atij dhe të afërmve të tij shumë forcë dhe besim. Ne do të jemi pranë tij dhe do ta mbështesim në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë kësaj kohe të vështirë”
Gjithashtu, klubi gjerman Stuttgart publikoi një mesazh ngushëllimi për lojtarin: “Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për Meschack Elia dhe familjen e tij. Mendimet tona janë me ju dhe ju urojmë forcë në këtë moment të vështirë”.
Pas lajmit të trishtë, Elia la menjëherë grumbullimin në Gjermani për të udhëtuar drejt Bernës dhe më pas të bashkohej me bashkëshorten dhe djalin tjetër në Kongo. Ngjarja ka tronditur të gjithë ekipin e Young Boys, i cili ka ndjerë dhimbjen e madhe të shokut të tyre.
“E kam përqafuar Meschack për disa minuta, duke qarë,” tha trajneri i tij Joël Magnin pas ndeshjes. “Është shumë e ndërlikuar, por do ta mbështesim të gjithë dhe do të jemi pranë tij sa më shumë që të jetë e mundur”.
lapsi.al