Disa të arrestuar brenda 24 orëve, policia jep detaje

Policia ka kryer disa arrestime dhe procedime gjatë 24 orëve të fundit në qytete të ndryshme të vendit.

Në Fier
Policia e Fierit tha se ka goditur një rast të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe i ka vënë prangat një 30-vjeçari, i cili e kishte përshtatur lokalin me një sërë pajisjesh që shërbenin për lojëra fati.

“Nga ndërhyrja në ambientet e lokalit, në lagjen “15 tetori”, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin S. B., 30 vjeç, banues në Fier, si dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 njesi kompjuterike, lexues dhe printer për biletat e lojërave dhe 41 bileta, që i shërbenin lojës së fatit “Gara me qen”.”

Në Këlcyrë
Ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. A., 27 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Këlcyrë-Përmet”, 27-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte, dhe si pasojë është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin L. K., 43 vjeç, banues në Përmet. Nga përplasja, është dëmtuar pasagjerja në automjetin me drejtues 27-vjeçarin, shtetasja M. A., 55-vjeçe, e cila është në kujdesin e mjekëve.

Në Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe arrestuan shtetasin A. B., 38 vjeç, banues në fshatin Hani i Hotit, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Po ashtu, ata nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 44 vjeç, banues në Shkodër, pasi në dyqanin që administronte, u gjetën aksesorë të ndryshëm kontrabandë.

Procedimi nisi edhe për shtetasin G. A., 70 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase 67-vjeçe.

Një tjetër rast procedimi në gjendje të lirë është edhe ai për K. B., 30 vjeç, banues në fshatin Grizhë, pasi dyshohet se i ka mbajtur automjetin një personi me pretendimin se ky i fundit i kishte para borxh.

Në Korçë
Policia në Devoll arrestoi në flagrancë shtetasin R. T., 42 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, Devoll, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin J. S., 41 vjeç, banues në Korçë, pasi në fshatin Libonik, Maliq, në ambientet e përpunimit të mbetjeve nga vajrat e automjeteve, në pronësi të këtij shtetasi, çlirohen gazra me aromë të rëndë dhe për pasojë ndotet ajri.

Në Kurbin
Në Kurbin, një 25-vjeçar që transportonte një çantë me kanabis u kap në flagrancë dhe u arrestua. Atij iu sekuestrua çanta me 3 kg lëndë narkotike, të cilën 25-vjeçari tentoi ta fshihte kur pa punonjësit e Policisë.

Lapsi.al