Dikur peshonte 110 kg, Florian Agalliu rrëfen transformimin e pabesueshëm
Kur ishte student peshonte 110 kilogramë. Nuk e vriste mendjen për pamjen, as për peshën, nuk kujdesej për ushqimin e as për trupin. Nuk i dukej anormale madje as nuk e mendonte se si dukej, as se si duhej të dukej. Jetonte pa vramendje derisa një ditë, u ndesh me një pasqyrë për më shumë sekonda se ç’i duhen dikujt të rregullojë flokët. Vetja e reflektuar në atë xham dukej si i paformë dhe larg idesë që Florian Agalliu kishte krijuar për veten. Ai pa se me vitet, pesha e tij i kish marrë energjinë.
Dhe vendosi të ndryshonte. Ishte viti 2013 kur nisi aktivitetin fizik. Dy vitet e fundit është si një nxënës sistematik, që nuk mungon asnjë ditë në palestër. Intervista me të, më bëri që të marr hapin e parë, të regjistrohem në palestër (edhe pse nuk i dihet a do shkoj ndonjë ditë). Uroj që të jetë motiv edhe për ju, duke parë rezultatet që ka arritur ai. Jo më kot i kërkuam Florit fotot përpara dhe pas palestrës, për të sjellë një ide më të qartë të asaj që mund të jeni edhe ju. Florian Agalliu rrëfen në këtë intervistë për kopertinën e e Who shndërrimin e tij 20 kilogramësh.
Në fund të intervistës, zbulojmë edhe verën e këtij viti bashkë me projektet për sezonin e ri televiziv, ku zbulojmë se do të ketë edhe një show të ri… E mësojmë bashkë!
Çfarë të motivoi për të nisur kujdesin ndaj fizikut?
U bënë disa vjet tashmë që bashkëjetoj me sportin. Dhe mendoj shpesh me vete që nëse do kisha nisur më herët do ndihesha akoma dhe më mirë në të gjitha drejtimet. Motiv më të madh në fakt se pasqyra nuk ka, apo se sa shkallet e pallatit nëse e ke shtëpinë në katet e larta, në pallate pa ashensor (qesh). Pra, nëse të merret fryma kur i ngjit duhet të motivohesh për të filluar nga pak sport. Për mua ishte pasqyra dhe një projekt filmik që m’u ofrua. Me të marr ofertën për filmin mendova që të bëj diçka për veten dhe për të gjithë ata që do harxhonin kohën e tyre për të më parë në TV. Kështu që nisa të filloj të stërvitem nga pak. Kur shkova në sheshxhirim pas disa kohësh producenti u habit, tha që të përfytyroja ndryshe. Kjo, me pak fjalë është historia ime e sportit, kam filluar gradualisht që prej 2013-tës dhe e kam intensifikuar më shumë kohët e fundit. E rëndësishme është ta kthejmë në formë jetese dhe jo të jemi sezonal. Trupi ka nevojë për stërvitje konstante!
Ke mbajtur dieta?
Koncepti i dietës shpesh herë keqinterpretohet. Po si të githe në fillim kur ke mungesë informacioni apo e ke për herë të parë edhe unë kam bërë disa gabime. Që kam jetuar vetëm me një sallatë në ditë (qesh)… Por sa më shumë të lexosh aq më shumë e kupton që trupi ka nevojë për ushqim që të vijë në formë si për t’u dobësuar, por edhe për t’u shëndoshur. Në të dyja rastet ka nevojë për ushqim. Dieta me gramaturë nuk kam mbajtur kurrë, por gjithmone e kam peshuar ushqimin me sy.
Prej sa kohesh ushtrohesh?
U bënë pak a shumë 2 vjet që unë kam gjetur veten në një sport që quhet crossfit. Është një lloj stërvitje që ndërthur sëbashku disa kategori dhe për këtë arsye më pëlqen dhe ndihem shumë në formë. Sa më shumë që avancon aq më shumë do të ecësh përpara, sepse është shumë kompetitiv edhe me pjestarët e tjerë të palestrës.
Përditë?
Stërvitem përditë dhe ka raste dy herë në ditë, por ka raste edhe të dielën. Që të jemi të qartë nëse unë kam pak kohë të lirë më mirë preferoj që ate kohë ta shpenzoj në palestër. Ka raste që nuk shkoj ndonjë ditë për ndonjë arsye të veçantë dhe më rri mendja aty, më duket sikur kam bërë ndonjë faj. Dhe të nesërmen përpiqem që të bëj dhe për ditën që mungova.
Cila është rutina jote stërvitore?
Rutina ime stërvitore nuk është një rutinë dhe prandaj më pëlqen. Përveç pjesës së nxemjes që është gjithmonë e njejta, pjesa tjetër është komplet enigma. Ajo varet gjithmonë nga Egli, nga instruktori i palestrës, i cili përpilon programin ditor në tabelë. Të gjithë gjatë ditës përpiqemi të vëmë rekorde personale dhe të kapim kohë të mira. Për këtë e kisha fjalën kur thashë që është një sport kompetitiv. Shkon në palestër me një motiv, si të mundësh shokët! Edhe nëse ke pasur një ditë të vështirë çdo gjë e harron në momentin që futesh në garë.
A ndikon ushqimi gjithashtu në një trup me muskuj?
Sigurisht që ndikon, ushqimi është kryesori. Nëse nuk ushqehesh mirë e ke të kotë që stërvitesh. Nuk do kesh fuqi dhe si rrjedhojë do të mungojnë rezultatet. Unë përpiqem që të kem të gjitha vaktet dhe me orare pak a shumë fikse. Edhe trupin e mëson me procesin e tretjes me këtë rast. Ushqimi është kryesori, të tjerat vijnë pas!
Ke marrë proteina ose steroide?
Steroidet nuk e di se çfarë janë, ndërsa proteinë po. Për shumë njerëz proteinë është njëlloj si steroidet, pra nuk dinë ta ndajnë. Megjithatë përpara se unë t’i përdor kam lexuar shumë dhe u binda që nuk kanë asnjë efekt anësor.
Pra edhe kur duhet të dobësohemi ne kemi nevojë për një sasi proteine të lartë, gjë të cilën nuk e marim dot vetëm nëpërmjet ushqimit që konsumojmë përditë dhe kemi nevojë për një sasi proteinë suplementare. Por edhe kur duhet të shtojmë pak muskuj është e njëjta gjë, vetëm se ndryshojnë raportet.
Si ishte kjo verë?
Këtë verë mezi e kam pritur për të thënë të vërtetën pasi ka qenë një vit shumë i zënë për mua. Kam punuar shumë dhe me orare të zgjatura ndaj dhe kisha nevojë për ristartim, por edhe familja ime gjithashtu. Pushimet verore janë ato që na mbledhin 24 orë bashkë dhe shpenzojmë shumë kohë me njëri-tjetrin. Kam pushuar mjaftueshëm si në Shqipëri, por edhe pak jashtë dhe mendoj se jam gati për start.
Sezoni i ri televiziv?
Projektet e mia për këtë vit do të jenë sërish ‘on Top’. Me këtë nënkuptoj që do të vazhdoj projektin e nisur një vit më parë në “TCH” me emisionin “Në shtëpinë tonë” dhe paralelisht po merrem me një projekt tek i cili besoj fort. Është një gjysmë ‘reality show’ ku me plot gojën them që do ju mbajë të gozhduar para ekranit për 12 javë rresht. Është një staf shumë i madh që po punon për ta realizuar në detaje pasi kërkon shumë impenjim. Besoj se shumë shpejt do të jetë gati për publikun. Më vjen keq që nuk jap dot më shumë detaje pasi nëse do ta thoja do të dekonspirohej misioni ynë dhe do të na bëhej puna edhe më e vështirë. Kur ta shikoni do të kuptohet se për çfarë e kam fjalën. Dhe paralelisht do shpresoja shumë që nga fundi i vitit të realizoja një shfaqje në teatër, por kjo ende është e pakonfirmuar 100%. Kemi shumë për të bërë kështu që s’ka kohë për llafe.