Digjet fondi 2.3 mld lekë për kompensimin e pronave!
Pezullimi i zbatimit të ndryshimeve ligjore të vitit 2022 për kthimin dhe kompensimin e pronave rrezikon të fusë në kolaps të gjithë procesin. Alarmi jepet nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, sipas të cilës, ky vendim ka vënë në pikëpyetje procesin e trajtimit të 7 000 dosjeve të patrajtuara deri më tani. Sipas Agjencisë, fondi i kompensimit për vitin 2023 në vlerë 2 miliardë e 340 milionë lekë do të digjet.
ATP i kërkon Gjykatës Kushtetuese, duke u nisur vetëm nga ndjeshmëria e opinionit publik, që të shqyrtojë me përparësi këtë çështje duke qenë se është i një rëndësie jetike për përfundimin e procesit të kompensimit. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e Komunitetit Musliman të Shqipërisë që kërkonte shfuqizimin e pikës 2 të nenit 1 dhe pikave 1, 2 dhe 5 të nenit 2 të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në fund të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike dhe pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit në fjalë,raporton Scan.
Komuniteti Musliman ka kundërshtuar ndryshimet e vitit 2022 në ligjin për trajtimin e pronës duke ankimuar në Gjykatë mënyrën sesi vlerësohej prona dhe mënyrën sesi kompensohej financiarisht ajo. Në ndryshimet e vitit 2022 u vendos që përllogaritja e pronës për kompensim të bëhej sipas kategorisë që ka qenë në kohën e kompensimit, pra sipas zërit të vjetër kadastral.
Lapsi.al