Di Maria-mania në Torino: argjentinasi mbërrin në JMedical, e presin më shumë se 200 tifozë
Në orën 8:50 të mëngjesit Angel Di Maria ka mbërritur në JMedical për të filluar ekzaminimet e zakonshme mjekësore me Juventusin. Argjentinasi, i cili zbarkoi mbrëmë në Torino, u mirëprit nga më shumë se dyqind tifozë që e brohorisnin. Kështu, Fideo i kushtoi disa minuta mbështetësve të tij të rinj, duke bërë selfie dhe nënshkruar autografe. Pas kontrolleve mjekësore pritet nënshkrimi i kontratës në Continassa. Ish-anësori i PSG, i mbërritur me parametër zero, do të nënshkruajë me bardhezinjtë për një vit për shtatë milionë euro. Asnjë opsion për rinovim me sulmuesin e destinuar të rikthehet në Argjentinë te Rosario Central.
Në këtë mënyrë, Juventus nuk do të mund të përfitojnë lehtësirat financiare nga Dekreti i Rritjes, por kjo nuk i ka penguar drejtuesit e klubit të insistojnë për të marrë në skuadër Di Marian. Në JMedical ka mbërritur mëngjesin e sotëm edhe Dusan Vlahovic, që do të kryejë ekzaminimet mjekësore në funksion të grumbullimit të ardhshëm. Sulmuesi serb është pritur me entuziazëm edhe nga tifozët e shumtë të pranishëm, ndërsa me të ka qenë edhe Rovella.