Dhunë dhe grushta mes femrave në Tirana-Vllaznia, klubet akuza njëra-tjetrës
Përballja mes Tiranës dhe Vllaznisë në kampionatin e futbollit për femra zgjati vetëm 22 minuta, pas skenave të paprecedenta dhe të pakëndshme që u krijuan në fushë.
Stafet dhe lojtaret respektive u përplasën në fushë dhe sfida u shty.
Klubi i Femrave Vllaznia ka reaguar duke thënë se gjithçka ishte e organizuar nga Tirana dhe se lojtaret kuqeblu dhe stafi kanë marrë ndihmë në urgjencë.
Klubi shkruan se është në kontakt të vazhdueshëm me Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia njofton të gjithë opinion publik dhe sportdashës se dënon me forcë të gjitha aktet e dhunshme të ndodhura ditën e shtunë, 25 Nëntor 2023, në ndeshjen Tirana-Vllaznia, të luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” në Tiranë.
Duke qenë të vendosur për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga zbatimi I rregullores së aktivitetit dhe Kodit të Disiplinës Sportive, kemi përmbushur detyrimin për të raportuar pranë organeve kompetente të FSHF-së duke evidentuar me fakte dhe argument dështimin e plotë të organizatorëve të kësaj ndeshje për organizimin e saj sipas rregullave të përcaktuara qartë.
Lojtaret e KFF Vllaznia dhe zyrtarët e saj të ndodhur në kushtet e mbrojtjes ekstreme dhe pa prezencën e forcave të rendit të cilat janë informuar nga trajneri I KFF Vllaznia, përballuan me dinjitet sulmin e paprecedent të organizatorëve të këtij takimi nëpërmjet personave civilë të future nga katër anët e fushës!!!
Dëshirojmë të njoftojmë të gjithë opinion publik se lojtaret dhe zyrtarët e KFF Vllaznia kanë marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore në urgjencën e Spitalit dhe gjendja e tyre shëndetësore tashmë paraqitet e stabilizuar.
Nga ana tjetër organizatorët e këtij takimi përtej detyrimit të shprehur qartë në rregulloret e aktivitetit për organizatorët e këtij takimi që të “garantojnë sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, lojtarëve dhe zyrtarëve t ë ekipit mik gjatë qëndrimit të tyre;” reagimi I menjehershëm mediatik I fajtorëve të zënë në faj nuk I shërben distancimit nga sjelljet e dhunshme të ndodhura ndaj miqve në shtëpinë e tyre!
Në mbyllje të kësaj deklarate, KFF Vllaznia është në kontakt të vazhdueshëm dhe po bashkëpunon ngushtësisht me organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, me besimin e plotë në zbardhjen e kësaj ngjarje të turpshme për futbollin shqiptar duke kontribuar në ndëshkimin e personave përgjegjës dhe parandalimiin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Klubit të Futbollit të Femrave Vllaznia.
Edhe klubi i Tiranës ka hedhur akuza ndaj stafit dhe futbollisteve të Vllaznisë dhe kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e ngjarjes.
“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja e femrave Tirana – Vllaznia, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.
Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës si edhe futbollistet”, thuhet në reagimin e Tiranës.
politiko.al