“Dhuna një skenar”, Lazër Matija akuzon klubin e Tiranës dhe kërkon drejtësi
Ngjarja e shëmtuar e regjistruar të shtunën e kaluar në futbollin e femrave tronditi opinionin publik. Dhuna fizike dhe ofendimet e vazhdueshme mes vajzave, por edhe stafit të dy ekipeve bënë që ndeshja të ndërpritej në minutën e 22.
Në një konferencë për shtyp përballë gazetarëve, presidenti i klubit të Vllaznisë për vajza, Lazër Matija, akuzoi se e gjithë kjo ngjarje ishte një skenar i klubit kryeqytetas.
“Nuk e kam parë ndonjëherë të luajmë kundër Tiranës dhe të mos kemi prezent policinë. Atë ditë, aty nuk ka pasur polici, forca rendi dhe na lind e drejta jonë, edhe të aludojmë se aty ka pasur skenar. Në kushtet e vetëmbrojtjes, jemi detyruar të reagojmë për veten dhe ekipin”, tha ai.
Mes të tjerash, Matija tregon se i gjithë stafi i Tiranës është përfshirë, ndërsa i bëri thirrje tifozëve të mos ndikohen nga situata të tilla.
Numri i madh i civilëve të përfshirë në atë sherr, aq më tepër edhe njerëz të përgatitur, duke përfshirë këtu stafin e Tiranës në përjashtim të trajnerit Alpin Gallo, është dalluar edhe doktori i klubit, që është e papranueshme. Madje edhe punëtorët e fushës, të cilët po largonin ujin, kanë ardhur më pas në ndihmë të stafit.
“Unë i bëj thirrje tifozëve të Tiranës, por edhe të Shkodrës të mos ndikohen nga kjo ngjarje, pasi nuk ka ardhur nga tifozët e Tiranës dhe as nuk inspirohet nga tifozët e Shkodrës”, shton Matija.
Dy palët kanë dhënë dëshminë e tyre në polici, ndërsa tani pritet dhe vendimi i Federatës shqiptare të futbollit që të japë masën disiplinore për këto dy ekipe.
a2news.com