Devis Muka: Në Shqipëri skandalet janë si kafja, të gjithë e pimë nga një çdo mëngjes

Një dyshe djemsh mori drejtimin e emisionit investigativ “Fiks Fare” në 2016-ën ndërkohë që me të tjera plane vijnë në 2017-ën. Për Devis Mukën ndërrimi i viteve mund të jetë thjesht një natë reflektimi për të marrë situatën në dorë, pasi asgjë nuk vjen duke pritur Vitin e Ri. Bashkë me Dorian Ramaliun i shohim çdo mbrëmje në ekran duke investiguar mbi skandale e fenomene shqiptare, që për Devisin janë të përditshme si kafja e mëngjesit. Duke folur për surprizat e serialit “Një dopio histori”, aktori 31 vjeçar rrëfen familjen që ka krijuar me ekonomisten Nertila Teme, dhe harmominë që u solli në çift vajza Negin.

Ishte 2016-ta një vit fiks fare për ty?
Ishte fiks pa dy minuta, pasi fiks fare do të jetë 2017-ta. Më mirë mos të kënaqemi asnjëherë nga viti që lëmë pas, pasi shumë gjëra mund të bëhen më mirë. Mund të bëjmë të gjithë më tepër duke e ditur se nuk kemi bërë tepër. Më të mirat nuk kanë ardhur ende.
Si e kalove 31 Dhjetorin dhe çfarë pret nga 2017- ta?
Ah më zuri gjumi që në orën 22:00, por fatmirësisht këtu tek ne fishekzjarret fillojnë që në 23:00 kështu që u zgjova. Nga 2017-ta nuk pres asgjë, por unë pres shumë më tepër nga vetja. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë që këtë vit ta bëjmë më të mirë per vetetdhe familjet tona. Ata që presin ngelen duar bosh, ata që vrapojnë edhe nëse nuk fitojnë në fund të paktën vrapuan për një qëllim.
Duke qenë se vitin që lamë pas u shfaqe si moderator i “Fiks Fare”, çfarë kuptove nga fjalët “investigim” dhe “skandal”?
Në Shqipëri skandalet janë si kafja. Të gjithë e pimë nga një çdo mëngjes. Përditë dëgjojmë, përditë ulërasim, përditë shikojmë dhe vetëm kaq. Si kafja i kalojmë poshtë të gjitha. Por tek “Fiks-i” asgjë nuk kalon poshtë. Nga investigimi i përditshëm që i bëjmë realitetit, gjërat nuk kalojnë poshtë kaq kollaj. Tek “Fiks-i” hallet zgjidhen nuk qahen. Përditë kalojmë me dhjetra histori dhe u japim zë padrejtësive dhe shpresë se ky vend do të ketë drejtësi për të gjithë.
Një dyshe djemsh me Dorian Ramaliun kë dyshe femrash seksi do të kishin të duhurat?
Nëse dy femra sexy do të ishin tek “Fiks-i” më shumë halle do të kishim për burra që duan të ndahen nga gratë sesa për korrupsion, varfëri dhe padrejtësi. Prandaj nuk i shikoj tek “Fiks-i” por pas “Fiks-it” i shikoj me kënaqësi.
Jeta e dy aktorëve si ju sa u trazua nga shfaqja çdo natë në ekranin e televizionit?
Nuk trazohemi fare po fare, fare. E bëjmë me kënaqësi shumë të madhe pasi në një farë mënyre edhe programi është si teatri, që u jep zë të vërtetave që në jetë nuk kemi zë t’i themi me zë të lartë. Kënaqësia rritet pastaj kur shikon që njerëzit të ndalojnë për të të thënë hallet e tyre, nga me të ndryshmet. Ose edhe kur të thonë “Faleminderit!” pa e ditur që kemi një super organizim mbrapa nesh.
Çfarë zakonesh i ke mësuar Dorit si burrë i martuar që je, dhe çfarë të ka mësuar ty si beqar?
Ti mësosh Dorit zakon është si t’i mësosh një gomari të flasë. Të dy kemi zakonet tona prandaj dhe jemi krejt të ndryshëm.
Paralelisht ju kemi parë në serialin “Një dopio histori”. Cilët janë pijanecët VIP që luajnë me ju në atë film?
Nga më të ndryshmit, që nga Eduart Ndocaj deri tek Alban Dudushi. Edhe publiku që na ndjek po dehet bashkë me ne çdo të mërkurë në “DigitAlb”.

Devis Muka për martesën: Harmoninë në familjen tonë e vendos vetëm “gjykatësi”, ja kush është

Të shohim me një familje të lumtur me bashkëshorten Nertila dhe vajzën Negin. A ekziston harmonia absolute mes një artisti dhe një ekonomisteje?
Harmoninë në familjen tonë e vendos vetëm vajza jonë Negin, pasi dihet që çdo çift ka ulje ngritjet e veta. Por kur flet gjykatësi pra vajza”gjithçka rregullohet.
Do e zgjeroni familjen me tjetër fëmijë?
Fëmijë tjetër për momentin jo, por nuk i dihet se dhe vajza erdhi si dhuratë. Pastaj dihet që fëmijët janë bekim, dhe unë që kur jam bërë baba jeta më ka ndryshuar për mirë në të gjitha drejtimet.
Disa tundime që përjeton një djalë i njohur që punon në televizion?
Tundime? Asnjë. Të punosh në “Fiks Fare” të bën më njerëzor. Të bën të shohësh realitetin ballas dhe pa filtra. Realisht puna që bëj më ka bërë më të mirë. Pastaj puna në “Top Channel” është si në një familje, ku të gjithe ndihemi njësoj me qëllimin e përbashkët të jemi ekrani i gjithë shqiptarëve.