Devetë skualifikohen nga konkursi i bukurisë sepse kishin botoks

Nëpër konkurset e bukurisë për njerëzit, organet drejtuese të garës nuk kanë ndonjë kufizim specifik për kirurgjinë plastike ose estetike, ndonëse i jepet përparësi tipareve natyrore. Por rregullat ndryshojnë për konkurset e deveve.

Autoritetet në Arabinë Saudite skualifikuan më shumë se 40 deve “të përmirësuara” nga konkursi vjetor, sipas agjencisë shtetërore të shtypit.

Devetë e skualifikuara në konkurs, në festivalin e deveve të Mbretit Abdulaziz, kishin botoks dhe ndërhyrje të tjera artificiale. Festivali popullor, i cili filloi këtë muaj, fton mbarështuesit e deveve më të bukura të konkurrojnë për rreth 66 milionë dollarë.

Ndalohen rreptësisht injeksionet e botoksit, ngritjet e fytyrës dhe ndryshime të tjera kozmetike për t’i bërë devetë më tërheqëse, raporton Guardian. Juritë vendosin për fituesit bazuar në formën e kokës, qafës, gungave, veshjes dhe qëndrimit të kafshëve.

Këtë vit, autoritetet zbuluan se dhjetëra mbarështues kishin ndryshuar buzët dhe hundët e deveve, kishin përdorur hormone për të forcuar muskujt, kishin injektuar botoks te buzët dhe kokat për t’i bërë ato më të mëdha.

Mbarështimi i deveve është një industri e rëndësishme dhe organizime të ngjashme zhvillohen në të gjithë rajonin.

Anabelmagazine