Detajet e recitalit të Arilena Arës në shesh, ç’do të ndodhë në 60 minutat live që do të thyejnë heshtjen e pandemisë

Pak ditë më parë këngëtarja Arilena Ara, me anë të një postimi në “Instagram”-in e saj, dha lajmin se do të sjellë koncertin e saj të parë recital në Tiranë, në një situatë të pazakontë karantine, ku ajo që mbizotëron është heshtja dhe zëri i saj do të kumbojë në metropolin e Tiranës.

Recitali do të jetë live nga sheshi “Nënë Tereza”, duke iu përshtatur edhe situatës së pandemisë që po kalon e gjithë bota. Tashmë është zbuluar posteri i koncertit, që do të mbajë titullin “Sounds of Silence”, ndërkohë që Arilena do të performojë këngët e repertorit të saj, që janë riorkestuar për t’iu përshtatur një recitali të tillë.

Mësohet se koncerti do realizohet me bashkëpunimin e TVSH dhe do të transmetohet nga ky televizion, ndërkohë kohëzgjatja do të jetë diçka më shumë se 60 minuta. “Sounds of Silence”, siç vetë artistja ka bërë me dije, do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” dhe veshja e këngëtares është kuruar nga Miranda Dupi.

Në media ka dalë dhe video ekskluzive nga provat e recitalit, që artistja do të zhvillojë këto ditë. Ky recital mund të konsiderohet si kompensim për Arilenën, pasi anulimittë “Eurosongut” këtë vit për shkak të pandemisë.

“Eurovision” mori vendimin për të anuluar festivalin më të madh të muzikës mes krizës që ka përfshirë botën nga frika e përhapjes së koronavirusit. Këtë vit, Shqipërinë në “Eurovision” do ta përfaqësonte Arilena Ara.

Këngëtarja punoi shumë për të sjellë versionin në anglisht të këngës së saj “Shaj”. Menjëherë pas mbarimit të Festivalit të RTSH-së, ajo udhëtoi drejt SHBA-ve dhe punoi në një studoi në Los Angeles për të realizuar versionin anglisht të këngës “Fall from the Sky”, e cila është publikuar vetëm në audio.

Por “Eurovision 2020” është anuluar dhe këngëtarja Arilena Ara reagoi duke u shprehur se shëndeti është mbi gjithçka, ndërsa u kërkoi ndjekësve të saj të qëndrojnë në shtëpi dhe të sigurt. Ajo gjithashtu publikoi një video të shkurtër nga momenti që punonte në studio në LA, duke u shprehur: “Këto janë disa sekonda të shkëputura nga një muaj intesiv në Los Angeles, ndërsa punoja për ‘Fall from the Sky’. Nuk mund ta përshkruaj se sa krenare, mirënjohëse dhe e lumtur jam për çdo moment, jo vetëm unë, por secili prej nesh që ka punuar me këtë këngë. Ky është përkufizimi i lumturisë. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Ju e bëni çdo përpjekje të ketë vlerë! Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti juaj. Ju lutemi, qëndroni në shtëpi! Qëndroni të sigurt. Ju dërgoj gjithë dashurinë time. Zoti e bekoftë secilin prej jush.”

Këngëtarja Arilena Ara ka rezervuar një surprizë të bukur për shqiptarët e izoluar për shkak të koronavirusit. Ndërkohë, s’ka humbur kohë, duke realizuar recitalin e saj.

“Sounds of Silence” është titulluar koncerti që Arilena do të mbajë në kryeqytet, ndërsa nuk zbuloi datën kur do realizohet.

“E lumtur të ndaj me ju këtë lajm! Recitali im live, nga sheshi ‘Nënë Tereza’”, shkroi këngëtarja.

Panorama Plus