
Detaje të reja/ Vrasja makabre e Ilarias, zbulohen gjurmë ADN-je të një mashkulli në valixhen ku u fut trupi i pajetë! Dyshimet për rolin e babait të autorit
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula nga ish i dashuri i saj filipinas, Mark Samson.
Sipas hetimeve të kryera, mësohet se në banesën e familjes janë gjetur gjurmë gjenetike të një mashkulli që nuk i përkasin autorit, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se i riu nuk e ka kryer i vetëm krimin.
Disa ditë pas krimit ekspertët e policisë shkencore janë rikthyer në banesën e tij dhe kanë sekuestruar disa palë këpucë që ndodheshin aty. Mbi këto këpucë, si edhe në valixhen ku u fut trupi i Ilaria-s pasi u vendos në dy qese mbeturinash, janë gjetur gjurmë ADN-je mashkullore që nuk i përkasin Markut, megjithëse ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për gjurmë të vjetra.
Më herët u raportua se përveç nënës së tij, e cila e ka ndihmuar të pastroje gjurmët e gjakut në dhomën e gjumit, ku ai tha se e ka goditur Ilarian tre herë me thikë, Mark është ndihmuar të fshehë trupin e saj nga dy shokë të tij dhe hap skenarë të rinj për hetuesit.
Megjithatë, hipoteza e hetuesve mbetet e pandryshuar, pasi sipas mediave italiane, për prokurorin Giuseppe Cascini dhe për prokuroren Maria Perna, rrëfimi i gjatë i Mark Samson para gjykatësit për hetimet paraprake përputhet pjesërisht me faktet e gjetura.
Prokuroria dhe hetuesit kriminalistikë vazhdojnë të besojnë se i riu ka vrarë ish-të dashurën e tij më 25 mars, kur Ilaria kishte shkuar në banesën në rrugën Homs, ku 23-vjeçari jetonte me prindërit, për t’i kthyer sendet personale, rrobat dhe unazën e fejesës. Ndërkohë, Mark ka këmbëngulur gjithmonë se e ka vrarë mëngjesin e 26 marsit.
Ky është një detaj thelbësor, sepse nëse vrasja ka ndodhur më 26 mars në mëngjes, atëherë të dy prindërit do të kishin qenë të pranishëm në banesën 50 metra katrorë ku ata banonin. Nëna, e zbuluar edhe përmes qelizave telefonike, ka pranuar se e ka ndihmuar Markun për të fshirë gjurmët e gjakut dhe është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e trupit.
Ndërsa i ati deri tani ka qenë jashtë hetimeve, pasi besohet se ka qenë jashtë banesës në momentin e krimit dhe është kthyer vetëm pasdite, diçka që përforcohet edhe nga të dhënat celulare.
Megjithatë, çështja kryesore mbetet transportimi i trupit deri te makina, në një lagje shumë të populluar, ku do të ishte e vështirë të kalonte pa u vënë re rreth orës 14:00, siç e ka përshkruar vetë ai. Dyshohet se Mark mund të jetë ndihmuar nga babai i tij.
Sipas hetuesve, është e vështirë të besohet se Ilaria mund të ketë qëndruar për të fjetur natën në shtëpinë e Markut, sidomos pasi ai atë pasdite kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe kishte tentuar të merrte laptopin e saj.
Gjithashtu, duket e pamundur që Mark të ketë arritur të transportojë i vetëm trupin për rreth 100 metra, veçanërisht në një orar kur rrugët ishin plot me njerëz e makina.
Gjurmët në këpucë mund të ndihmojnë për të lidhur persona të tjerë me ngjarjen, si për shembull vendndodhjen e trupit, i cili u hodh në një greminë përgjatë rrugës në Capranica Prenestina dhe nuk dihet nëse Mark ka vepruar vetë apo me ndihmën e dikujt.
GËNJESHTRA PËR STUDIMET
Ndërkohë, nga hetimet e policisë mbi situatën e studimeve të Markut, një nga pikat që dyshohet se ka shkaktuar krizën në çift, ka dalë në dritë se ai kishte gënjyer të dy prindërit dhe të dashurën. Ai kishte dhënë vetëm një provim në Fakultetin e Arkitekturës, ndonëse të gjithë besonin se ishte afër diplomimit.
tpz.al