Detaje/ Si u vra nga rusët gazetari amerikan në Ukrainë
Një gazetar amerikan, 51-vjeçari Brent Renaud, u vra nga forcat ruse ndërsa 2 kolegë të tij u plagosën në qytetin Irpin, në periferi të Kievit në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga forcat e sigurisë ukrainase.
Gazetarët po filmonin refugjatët që po largoheshin kur ata gjendën në mes të të shtënave me armë në një pikë kontrolli. Renaud u qëllua me plumb në qafë ndaj ka ndërruar jetë menjëherë, ndërsa dy kolegët e tij janë dërguar në spital.
Në një video në rrjetet sociale dëgjohet versioni i njërit prej 2 gazetarëve të plagosur që thotë se si rusët hapën zjarr.
“Kaluam një urë dhe po filmonim refugjatët. Dikush na ofroi që të na çonte në urën tjetër. Kaluam postbllokun kur ata filluan të gjuanin mbi ne. Shoferi u kthye, por ata vazhduan duke qëlluar. Shokun tim Brent e qëlluan dhe ne e lamë pas. E pashë që u qëllua në qafë. U ndamë, pastaj më morën në barelë dhe më sollën këtu” – tha ai.
Andriy Nebytov, shefi i policisë së rajonit të Kievit bëri një reagim në Facebook.
“Okupatorët po vrasin në mënyrë cinike edhe gazetarë të mediave ndërkombëtare që përpiqen të tregojnë të vërtetën për mizoritë e trupave ruse në Ukrainë” – shkroi ai.
Kryebashkiaku i qytetit Irpin, Oleksandr Markushin njoftoi se gazetarëve nuk do t’u lejohet më hyrja në qytet për arsye sigurie pas vdekjes së reporterit Renaud.
“New York Times” reagoi duke u shprehur se gazetari i vrarë nuk ishte në një mision për këtë gazetë.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga vdekja e Brent Renaud. Ai ishte një fotograf dhe regjisor i talentuar që kishte bashkëpunuar me ne vitet e fundit. Edhe pse ai kishte bashkëpunuar me NYT në të kaluarën (së fundmi në 2015) ai nuk ishte në një mision në Ukrainë për gazetën tonë. Informacionet se ai ishte duke punuar për ne, erdhën sepse iu gjet karta e gazetës që i ishte dhënë për një mision vite më parë”, – thuhet në njoftimin e NYT.
“Rusia do të vuajë pasoja të rënda për atë që po bën” – tha pas ngjarjes Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jack Sullivan, i intervistuar nga CNN. ©LAPSI.al