Detaje rreth aksionit ku u kap i dashuri i Viola Spiros, si fshihej droga në makinat e blinduara


Policia italiane ka publikuar edhe videon e aksionit të zhvilluar 10 ditë më pare, që është finalizuar me arrestimin e 7 personave, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, mes të cilëve edhe Valentin Selaj, shkruan Opinion.al. Hetimet për këtë grup filluan në maj të vitit 2015-të, dhe aksioni ka qenë rezultat i një hetimi të nisur nga Prokuroria e Firences, AntiMafia. Kokaina dhe marijuana mbërrinin nga Amerika e Jugut deri në Hollandë, nga ku transportoheshin në Itali dhe Angli përmes makinave me funde të dyfishta dhe të veshura me plumb, që hapeshin me anë të një telekomande, me qëllimin për t’iu shmangur kontrolleve të qenve të drogës, shkruan agjencia e lajmeve italiane, ANSA. Shtatë të ndaluarit e këtij operacioni kanë qenë të gjithë shqiptarë me banim në Amsterdam dhe Roterdam. Mes të arrestuarve është dhe emri i Valentin Selaj, i parë publikisht në shoqërinë e prezantueses së emisioneve sportive, Viola Spiros. Mediat italiane kanë shkruar ndër të tjera edhe për raportin e ish-velinës me kreun e bandës në fjalë, dhe jetën e saj përrallore të reklamuar edhe në rrjetin social Instagram.