Detaje nga albumi i ri i Beyonce
Krejt papritur, Disney Plus njoftoi se Beyoncé do të publikojë muajin tjetër një album vizual, “Black Is King”, të frymëzuar nga “Mbreti Luan”.
“Black Is King” është shkruar nga Beyoncé, e cila shërben edhe si regjisore dhe producente. Albumi vizual do të publikohet më 31 korrik të këtij viti. Në trailerin e publikuar së fundmi, kuptohet qartazi se “Black Is King” do të shërbejë si një manifestim për gjithë përvojën e afro-amerikanëve. “Është një histori për epokat që do të ndërtojnë të tashmen. Është një bashkim i kulturave dhe besimeve të përbashkëta të gjithë gjeneratave. Një histori [që tregon] se si njerëzit që s’kanë asgjë, i pret një ardhme e jashtëzakonshme,” u shprehën Disney dhe Parkwood Entertainment, kompania e Beyoncé-s. Sipas kompanive, albumi vizual do t’u dedikohet “mbretërve dhe mbretëreshave të ditëve të sotme, të cilët janë në kërkim të kurorës”.
Siç e thamë më sipër, “Black Is King” do të jetë një album vizual, që do të thotë se secila këngë do të shoqërohet me video, të cilat së bashku me tekstin tregojnë një histori. Albume të tillë janë përgjithësisht “albume konceptuale”, që do të thotë se rrëfejnë rrjedhën e një historie. Kujtojmë këtu “Lemonade” (2016), i cili u përqëndrua te “udhëtimi” emocional i Beyoncé-s pas tradhtisë së Jay Z. “Lemonade” është vlerësuar gjerësisht si një nga albumet më të mira të shekullit XXI.