Dëshmitë/ Ish-i dashuri dhe mjeku flasin për rrahjen e kenianes në Tiranë
Emisioni “Në Shënjestër” në News 24 ka sjellë dëshmi të reja për atë që ndodhi me një vajzë të re nga Kenia dhe rrahjen e saj në mënyrë barbare në Tiranë në 12 gusht të këtij viti. Ajo po qëndron në gjendje të rëndë në spital dhe ende nuk ka asnjë të akuzuar për çështjen. Pas daljes nga puna, 22-vjeçarja Joyce Achieng Aoko është dërguar me makinën e personelit në banesën e marrë me qera. Rodi B., shoferi i kazinosë ku punonte Joy, ka treguar momentet e fundit të kontaktet të tij me të renë.
“Unë kam rreth 3 muaj që e njoh Joyce Aoko tek Casino te ‘Sheraton’ në Tiranë. Kam pasur lidhje intime me të. Më datë 8 Gusht 2022 rreth orës 14.00 kam shkuar tek shtëpia ku jetonte në rrugën e Elbasanit tek rezidenca Flowers. Pasi qëndrova disa orë me të kam vendosur që të mos e vazhdoja më këtë lidhje me miratimin edhe të saj. Joyce më ka bërë bllok. Që nga ajo ditë nuk kam pasur më asnjë kontakt me të.
Më datë 13 gusht 2022, rreth orës 18.43, jam vënë në dijeni nga shoqja e saj Emili se Joyce nuk po gjendej dhe më ka pyetur mos ishte me mua. Unë i thashë që ajo më kishte bërë bllok dhe që nuk kam pasur më kontakt me të. Po nga Emili kam mësuar se ajo është gjetur pa ndjenja tek rezidenca Flowers,” – tha Rodi B.
“Menjëherë sapo mësova mbi atë çfarë i kishte ndodhur Joyce, kam shkuar tek spitali i Traumës për t’u interesuar për të. Më kanë thënë se ishte në gjendje kome. Ajo konsumonte herë pas herë lëndë narkotike. Ajo më ka treguar se sa herë pinte alkool i kujtoheshin kohët e vështira që kishte kaluar në Kenia, madje më ka thënë që e kishin përdhunuar atje”, – tha ai.
Gjatë deklarimeve të tij edhe mjeku i ambulancës ka treguar për ngjarjen.
“Fillimisht hipa mbi kangjella dhe u afrova tek personi. Konstatova se kishte puls të dobët. Frymëmarrje të vështirë dhe hematomë në kokë, sytë e nxirë dhe gjak nga hundët, si edhe nga mesi e poshtë ishte e zhveshur dhe e pastër. I dhamë ndihmën e parë dhe e dërguam me ambulancë në Spitalin ‘Nënë Tereza’.
Në orën 00:20 vajtëm në spitalin e Traumës ku morën kontakt me mjeken. Ajo na shpjegoi se shtetasja është në intubim dhe është akoma në rrezik për jetën dhe se ka hematomë në kokë, por nuk e di se si është shkaktuar ajo”, – tha Dashamir Krasniqi, mjek ambulance. ©LAPSI.al