Dëshmia tronditëse e vëllait të motrave që u vranë në Tiranë: “Përparim Ademi i linte shtatzënë dhe i shiste fëmijët në Selanik”

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e dy motrave, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, që tronditi kryqytetin pak ditë më parë, këtë herë të rrëfyera nga familjarët e tyre, Vëllai i dy motrave ka treguar në një intervistë në “Shqipëria Live”, në Top Channel, historinë tronditëse të marrëdhënies që ato kishin me autorin e krimit, Përparim Ademi.

Bashkim Metani ka thënë se Ademi ka pasur fëmijë me të dyja motrat dhe se ai ka shitur 10 prej tyre. Sipas tij, Kristina dhe Zhaneta kanë mbetur shtatzënë në kohë të ndryshme, ndërsa Përparimi, që tani gjendet në burg, i ka shitur fëmijët në zonën e Selanikut në Greqi.

“Motra mi ka treguar të gjitha në muajin Dhjetor, nuk i denoncova pasi ma kërkuan motrat, pasi kishin frikë se do i vriste”, është shprehur Bashkim Metani. Këtë dëshmi e ka mbështetur edhe motra e madhe e familjes, Adriana, e cila ka shtuar edhe detaje të reja:

“Motra e madhe e ka njohur në fillim Përparimin. Pas asaj kanë bërë këtë vajzën dhe ai nuk i ka dhënë atësinë. Në fillim mori motrën e madhe, e nxori në rrugë si prostitutë dhe pas një viti ka ardhur e ka marrë motrën time të voglën të babai, ka qenë 15 vjeçe. Babai im i tha se do të të denoncoj, kur i tha se do të denoncoj i tha se i kam vajzat në Tiranë, janë të sëmura dhe të kërkoj që të vish ti. E ka çuar në mal të Dajtit dhe e ka kërcënuar me thikë. I ka thënë nëse ti më denoncon, do të shuaj si familje. E mori motrën e vogël dhe e çoi në Selanik. I linte shtatzënë dhe i detyronte që t’i shisnin. Janë shitur mbi 10 fëmijë. Dy motrat e mia, ka qenë edhe e shoqja e tij në Greqi. Edhe gruaja e tij ka ngelë shtatzënë dhe e kanë shitur fëmijën. Kjo pasi nuk u dilnin lekët që të mbaronin vilën.

Motrën e madhe e la, pasi nuk bëntë më fëmijë. Kur ngeli motra e madhe shtatzënë në fillim nuk pranoi ta shiste, ai e ka varur me tel në fyt. Ka bërë shumë gjëra, kanë ardhur motrat të nxira. I ka thyer motrës së madhe edhe këmbën, shumë tortura. Neve nuk na ka lënë motra jonë e madhe, nuk na lejohej që të bënim ne denoncim. Ato vetë nuk e bënë asnjëherë hapin.”

Në intervistën për “Shqipëria Live”, po ashtu ka folur edhe djali i njërës prej motrave, i cili ka parë të gjithë ngjarjen e vrasjes së nënës dhe tezes së tij. Fatkeqësisht i mituri ka qenë dëshmitar në skenën e krimit dhe ka thënë se kishte parë edhe flokët e nënës së tij me copa kafkash në tokë.

“Ra dera dhe më pas tezja ime çohet nga tavolina dhe shkon për ta hapur dhe pyeti kush është. Personi jashtë u përgjigj Kastrioti. Tezja u mundua të mbyllte derën por ishte shumë vonë. E dija se diçka e keqe do të ndodhte, por jo kjo që ndodhi. Ai kishte hyrë tashmë dhe shumicën e plumbave pasi hyri i hëngri tezja ime. Ai vazhdonte të qëllonte edhe pasi mamaja ime kishte vdekur. Dera ka qenë e hapur, mund të shikoni se aty janë flokët e mamit tim që kanë dalur me gjithë copa të kafkës. Këtu janë plumbat dhe këpucët më gjak. Fillova duke bërtitur dhe vrapova për nga frigoriferi dhe ai u ul te këndi aty. Në momentin që u ul ai mbajti armën në fytin e tij dhe ndoshta ka tentuar të vriste veten. Por këtë veprim ndoshta e ka bërë që të më gënjejë mua që ai ka vdekur. Nuk kishte emocione në fytyrë ishte gjakftohtë dhe i frikshëm. La armën e krimit aty dhe u largua menjëherë”,- tha djali i Zhaneta Metanit.

/News31