
(DËSHMIA) Ish-drejtoresha e TOB, Abigeila Voshtina fundosi Ajola Xoxën në SPAK
Pas kthesës së beftë që bëri biznesmeni Gentian Sula në rrëfimin e dytë në SPAK, një tjetër thikë pas shpine vjen për Ajola Xoxen, kësaj here nga një ish-punonjëse shtetërore që deri ditën kur familja Veliaj ishte në pushtet qëndroi e heshtur: Abigeila Voshtina, ish-drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit. Në një dëshmi që përmban detaje nga ndërhyrja e Ajola Xoxës në tenderat shtetërore dhe që e implikon atë penalisht, Voshtina pranon para prokurorëve të SPAK-ut se ka firmosur kontrata të paligjshme me vlerë 30 mijë euro, me urdhër direkt të Ajola Xoxes dhe në interes të organizatave të saj.
“Kontratat janë hartuar me kërkesë të Ajola Xoxes, e cila kishte përzgjedhur operatorin dhe kishte përcaktuar shumën. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e shoqërisë ‘Rametal’. Ajola bëri të gjithë diskutimet financiare dhe teknike, duke përdorur një ekonomiste të qendrës ‘Harabel’”, ka deklaruar Voshtina para hetuesve.
Bëhet fjalë për aktivitetin “Festivali Ndërkombëtar i Dancit”, që edhe pse në letër organizohej nga Teatri Kombëtar i Operas, në praktikë kontrollohej nga Xoxa dhe punonjësit e kompanive të saj. Kjo përfshinte jo vetëm menaxhimin e fondeve, por edhe vendimet financiare dhe teknike, të cilat Voshtina thotë se nuk ishin në dorën e saj.
Sipas saj, edhe pse këto kontrata ishin “në kundërshtim me ligjin”, ajo ndjeu detyrimin për t’i firmosur “për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxe ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj”.
Nga mënyra se si rrëfehet Voshtina duket se ajo ka pasur pakënaqësi për një tjetër skemë të Xoxes për të menaxhuar 240 mijë euro të tjera përmes qendrës “Harabel”. Në një takim në Ministrinë e Kulturës, ku ishin të pranishëm Ajola Xoxa, Tim Neëman dhe sekretarja e përgjithshme Zerina Bruci, është diskutuar buxheti për shfaqjet “Sonoma” dhe “Gravitry”.
Sipas dëshmisë, Ajola kërkonte që fondet të kalonin përmes “Harabelit”, një kërkesë që Voshtina nuk e pranoi. “Fondet publike duhej të menaxhoheshin nga Teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme”, ka argumentuar ajo para SPAK-ut. Ky qëndrim i drejtoreshës sipas saj, çoi në “krisjen e marrëdhënies” mes saj dhe Ajolës.
“Ajola Xoxa kishte kërkuar që një shumë prej 240,000 euro të menaxhohej nga Qendra Harabel, gjë me të cilën deklaruesja shpjegon se nuk ishte dakord, pasi sipas saj fondet publike duhej të menaxhoheshin nga Teatri dhe jo nga një organizatë e jashtme. Sipas deklarueses, kjo solli krisjen e marrëdhënies midis saj dhe Ajolës. Nga ana tjetër, deklaruesja shpjegon se kishte vështirësi me kohën, pasi procedurat duhej të zhvilloheshin gjatë muajit gusht, periudhë në të cilën stafi administrativ i Teatrit ishte i reduktuar. Për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj, ajo deklaron se e ndjeu veten të detyruar të firmoste dokumentet, ndonëse nuk ishin konform ligjit.” shkruhet në dosje.
Duket se në dëshminë e saj ish-drejtoresha ka pranuar të fajësojë edhe veten për firmosjen e dokumentave të paligjshme, duke theksuar se këtë e ka bërë “për shkak të presionit dhe ndikimit që Ajola Xoxa ushtronte përmes emrit të bashkëshortit të saj, Erion Veliaj”, por ndikimi i Xoxes nuk u shfaq vetëm në fondet publike.
Ajo ka vepruar edhe në mënyrë arbitrare në organizimin e ngjarjeve të institucionit.
“Unë kisha rezervuar tre rreshta për personalitete të ftuar sipas protokollit, por Ajola kishte marrë përsipër shpërndarjen e biletave dhe i kishte shpërndarë vetë, pa dijeninë e stafit të Teatrit të Operas”, ka treguar më tej Voshtina.
Shkeljet në kontratat me kompaninë “Rametal”, të Elman Abules, që sipas dëshmisë është përdorur si mbulesë për aktivitetin e Ajola Xoxes janë vënë re edhe nga drejtoresha e auditimit të Teatrit Kombëtar, e cila ka konfirmuar para prokurorëve se “veprimet binin në kundërshtim me legjislacionin fiskal dhe me menaxhimin e fondeve publike”.
Këto deklarata janë pjesë e dosjes voluminoze të Prokurorisë së Posaçme kundër kryetarit në detyrë të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxe dhe disa biznesmenëve, në të cilën përfshihen akuza të rënda si korrupsion, pastrim parash dhe deklarim i rremë i pasurisë.
Nga dëshmitë që kanë arritur të sigurojnë prokurorët e SPAK kuptohet se për sa kohë Ajola Xoxa ishte e rrethuar nga aureola e pushtetit nuk e ka menduar se do të vinte kjo ditë, kur njerëzit që i bindeshin pa nxjerrë zë do ishin ata që kishin në dorë fatin e saj. Dhe nga njëri projekt tek tjetri u ka dhënë vartësve të saj të përulur mundësinë për t’ia përmbysur pushtetin dhe për ta zhytur akoma më keq përballë drejtësisë.
Lapsi.al