Deri në 10 vjet burg për homoseksualët, Uganda po shqyrton projektligjin

Një projektligj që parashikon deri në dhjetë vjet burg për ata që kanë marrëdhënie të të njëjtit seks po shqyrtohet sot në parlamentin e Ugandës, duke nxitur reagimin e avokatëve të të drejtave të njeriut.

Projektligji synon çdo person që angazhohet në aktivitet homoseksual ose identifikohet se i përket komunitetit LGBTI në një vend ku homoseksualiteti është tashmë i paligjshëm.

“Ligji kundër homoseksualizmit është gati dhe do të hidhet në parlament për votim pasditen e sotme. Ne dëgjuam mbështetësit e projektligjit dhe kundërshtarët e tij dhe dërguam propozimet tona për t’u shqyrtuar në seancë plenare”, tha Rebina Ruakutzo, kryetarja e komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Parlamentare që shqyrtoi projektligjin.

Votimi i projektligjit vjen në një kohë kur teoritë e konspiracionit mbi këtë çështje po përhapen në mediat sociale, duke pretenduar se forcat e errëta ndërkombëtare po promovojnë homoseksualitetin në Ugandë.

Disa ditë përpara se parlamenti të shqyrtonte projektligjin, presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, i cili ka drejtuar vendin me dorë të hekurt që nga viti 1986, i kishte përshkruar homoseksualët si “jonormalë”. Më 17 mars, policia e Ugandës njoftoi arrestimin e gjashtë burrave “për praktika homoseksuale”.

Uganda ka ligje të rrepta kundër homoseksualëve, të trashëguara nga kohërat koloniale. Por që nga viti 1962, viti në të cilin fitoi pavarësinë nga Britania, dhe pas kësaj nuk ka pasur asnjë ndjekje penale kundër njerëzve që kishin marrëdhënie homoseksuale konsensuale.

Në Afrikën Lindore, homofobia është veçanërisht e përhapur, me homoseksualitetin që është i paligjshëm në shumë zona dhe shpesh konsiderohet një krim./abcnews.al