Denoncimi i Klaudia Kalias: Më lanë në mes të rrugës pa para, ka ardhur koha që…
Shtatë muaj më parë Klaudia Kalia nga Tirana u zgjodh në Prishtinë “Miss Grand Albania 2017”, kurorë që do e dërgonte atë për përfaqësimin e Shqipërisë në Vietnam në “Miss Grand Internacional”. Por diçka ka ndodhur në aspektin menaxherial mes saj dhe produksionit, kështu që miss-i nga Tirana nuk ka mundur dot të garojë me fashën e Shqipërisë. Për mënyrën si u zgjodh Miss pa nënshkruar asnjë kontratë, paramentrat e bukurisë me të cilat bëri jurinë për vete, dhe çfarë ndodhi që nuk përfaqësoi Shqipërinë në botë, Klaudia Lila rrëfehet në këtë intervistë bashkë me setin e fotove artistike të realizuara nga Sonny K. Elson. Për revistën “Story” ajo bën denoncimim e saj për gjithçka ndodh në paskuintat e garave shqiptare të bukurisë…
U komentove në media pas një statusi kundër produksionit të “Miss Grand Albania 2017”, pasi nuk të mbështetën dhe shoqëruan për garën e bukurisë që mbahet në Vietnam. Çfarë ke humbur nga kjo mospjesëmarrje?
Në fakt bëhet fjalë për një nga eventet më të rëndësishme në botë, siç është “Miss Grand International”. Nuk kam qenë kundër produksionit, por kam shprehur habinë në fakt sepse në një event të tillë ku ne dërgohemi për të përfaqësuar flamurin shqiptar nuk kemi asnjë përkrahje, por duhet të paguajmë vetë të gjitha shpenzimet. Në disa biseda që kam pasur me përfaqësuese të vendeve të tjera, jo vetëm që atyre u paguhen të gjitha shpenzimet por kanë dhe dikë nga produksioni që i shoqëron.
Nga ana e tij producenti “Miss Grand Albania 2017” me anë të një deklarate është shprehur se mosha e re e jotja të ka penalizuar, pasi duhet të të shoqëronte një i afërm. Është dhe kjo arsyeja që të ka penalizuar?
Nuk mendoj që është kjo arsyeja që më ka penalizuar, sepse atëherë produksioni nuk do të më zgjidhte që në fillim, pasi nuk mendoj që janë kaq të papërgjegjshëm. Aq më pak që nuk është hera e parë që shkoj në evenimente jashtë Shqipërisë, pasi kam marrë pjesë dhe në vende të tjera, ku jam vlerësuar dhe me çmim si “Miss International Model”. E vërteta është që si gjithmonë në konkurset që bëhen në Shqipëri, vajzat duhet të paguajnë të gjitha shpenzimet. Nuk kuptoj gjithë sponsorizimet ku shkojnë në këto raste?! Ndoshta ka ardhur momenti të ndërgjegjësohemi që këto sjellje të produksioneve të ndryshme të mos lejohen më! Nga asnjë përfaqësuese e vendeve të tjera theksoj kanë pohuar që s’paguajnë asgjë, që nga konkurset e përmasave të vogla e deri tek ato më të rëndësishëm.
Hyjmë pak më në brendësi të çështjes. Si u shpalle ti “Miss Grand Albania 2017”, dhe çfarë kontrate nënshkrove pas fitores?
Miss u shpalla sepse ndoshta isha personi i duhur që përfaqësonte atë kompeticion. Ndoshta fiziku im 1.80 m, kaçurrelat e mia ranë në sy dhe e bënë jurinë për vete, ashtu si jurinë ndërkombëtare. Në fakt nuk kam nënshkruar asnjë kontratë pas fitores.
Ishe në dijeni të kushteve të një gare të tillë?
Që në momentin që kam fituar e deri pak ditë para se të kuptoja që isha unë ajo që duhet të paguaja, ose më mirë të themi familja ime që më mbështet në çdo gjë nuk kam nënshkruar asgjë, asnjë marrëveshje ose kontratë.
Nga pikëpamja personale çfarë ke humbur nga mospjesëmarrja në garën e Vietnami, sa e rëndësishme ishte ajo garë për karrirën tënde të mëtejshme?
Nuk e di sa e rëndësishme ka qenë ajo për mua, pasi deri tani asnjë Miss nuk ka pasur përfitime në këto lloj kompeticionesh, të paktën me sa mbaj mend unë. Përpos faktit që Shqipëria nuk është kualifikuar asnjëherë në vende të rëndësishme, saqë të thuhët që miss-et u kanë sjellë përfitime. Edhe në aktivitetet që jam angazhuar deri tani; sfilata, reklama, ose show televizive nuk mund të them se titulli më ka ndihmuar.