Denardo Neziri: Si u plagosa me kallash në xhirimet e filmit që risjell skenat e Shqipërisë së ’97-ës, ju rrëfej makthin e skemave piramidale krah Nik Xhelilajt e Adriana Matoshit

Nga Klotilda Harka

Nga Donzhuani në teatër, tek aksioni me armë në filmin më të ri që është xhiruar në Shqipëri, me subjekt Shqipërinë e ’97-ës dhe firmat piramidale. Për një artist gjithë ndjeshmëri si Denardo Neziri,  që adhuron t’i japë shpirt poezisë nëpërmjet recitimit në mbrëmje poetike, të kalosh nga teatri në film është një aventurë më vete. Pas roleve në filmat “Delegacioni”, apo “Gjirokastra” krah Tinka Kurtit, ku rrëfehej për herë të parë në kinema historia e Enver Hoxhës me Nexhmijen, në këtë intervistë për revista “Story”,  Denardo rrëfen rolin e rebelit në filmin më të ri me titull “Luna Park”, ku luan krah aktorit të njohur në botë, Nik Xhelilaj apo Adriana Matoshit. Për incidentin që i ndodhi me armën që përdori në shëshxhirimin e filmit me skenar të Florenc Papas dhe Glykeria Patramani, dhe të tjera sekrete nga jeta në teatër dhe kinea, aktori flet për herë të parë në këtë intervistë.

Duket se profili yt si aktor u shkon përshtat filmave shqiptarë me skenar kohën e komunizmit, pasi para se të luaje në filmin “Gjirokastra”, të pamë në filmin “Delegacioni”.  Po në teatër sa e ke gjetur veten me role interesantë?

Në teatër vij pas një angazhimi të fundit me komedinë e autorit francez, André Roussin.  Bëhet fjalë për një komedi situatash, që në qendër të saj është dashuria si ndjenjë e vërtetë dhe tradhëtia.  Personazhi protagonist, Zherar Dypui gjendet në një ritëm jetese mes shumë femrash, ku është në kërkim të gjejë dashurinë e tij të vërtët që ta plotësojë shpirtërisht. Por nga ky ritëm i jetës ai është mërzitur tepër me këtë “ritual”, që nuk e mbush kohën më asgjë tjëtër.  Unë kisha dy role diametralisht të kundërt. Në rolin e parë kisha një inspektor të policisë, që vjen me motivin për të gjetur kufomën e Zherarit, dhe krijohet edhe një situatë komike në konflikt, pasi viktima është gjallë. Dhe unë si personazh kam një “deficencë” në jetën time, sepse unë nuk di ç’është dashuria e vërtetë, pra nuk e njoh. Dhe kjo më bën pak miqësor me personazhet e tjerë në këtë situatë.

Po roli tjetër, ishte ai i një rokeri apo jo?

E vërtetë. Rroli tjetër është ai i një djali aventurier, Donzhuan, me një stil jetese prej rokeri, por që jam viktimë e tradhtisë bashkëshortore. Komedia titullohet “NINA”,  është emri i protagonistes kryesore, një zonjë rreth  40 vjeçe që tradhton burrin e saj, Adolf Tesje me Zherar Dypui.

Pra në teatër në komedinë “Nina” si Donzhuani Rëne Lamyr, dhe si inspektori i policisë në të njëjtën komedi. Po ne kinema, cili ka qenë roli yt më i fundit?

Në kinematografi, pjesëmarrja ime më e fundit ka qenë në filmin me metrazh të gjatë “Luna Park”, me regji të Florenc Papas. Do të thosha një film shumë i mirë, mbi të gjitha për tematikën që trajton. Në kontekst është viti 1997, viti i trazuar nga lufta dhe nga nisma e kësaj lufte, pikërisht “firmat piramidale”.  Një film ky në bashkëpunim me katër shtete; Greqi, Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri.

Me cilët aktorë të njohur ndan këtë eksperiencë?

Mund të them se luaj me një kast të mrekullueshëm aktorësh si; Adriana Matoshi, Nik Xhelilaj dhe unë (qesh).

Dhe cili është roli yt në këtë film ku trajtohet për herë të parë fenomeni shqiptar i firmave piramidale?

Në këtë film unë luaja një karakter me plot gojën “rebel”.  Një rebel i kohës nga ana e mentalitetit dhe formës së asaj kohe, dhe nga ngjarja personale. Personazhi im ishte një personazh që kishte humbur para në firmat piramidale, pasi është në mesin e organizimit të protestave për t’i kthyer shumat e të gjithëve, jo vetëm atij “pra mua”. Në qendër krijon një grup “puçist ” dhe i bën pritë autobuzit, që ishte personi në një prej pikave të grumbullimit të lekëve nga firmat. Ky skenar trajton më së miri atë periudhë të errët të Shqipërisë, nga ana ekonomiko-social-kulturore, dhe e kam përjetuar totalisht atë atmosferë në realizimin e këtij filmi.

Kur thua viti 1997, të vijnë në mendje armët. Ti përdor një të tillë në film?

Ah po. Gjatë xhirimit të filmit, unë si personazh që luaj më duhet të gjuaj me armë të tipit automatik “kallash”, por gjatë provave i bënim me kallash druri. (Qesh) Më pas kur na i sjell produksioni armët e vërteta me fishek manovër, më dha një ndjesi jo të mirë, më “kontraktoi pak, dhe nuk doja ta bëja, pra të gjuaja”. Por roli e kishte të nevojshme, sepse duhet të kryeja veprimin, dhe gjatë dublit, e mbajta keq kallashin pra armën, dhe më ka kapur gëzhoja në cep të syrit. O zot, sa u tremba, sepse më dha një dhimbje të fortë! E mjekova syrin aty në shesh të xhirimit, se kisha shumë rrjedhje gjaku, por unë vëmendjen e kisha vetëm tek roli. Doja që të interpretoja në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe pse sfiduese si skenë. Por ja dola në mënyrën më të mirë të mundshme! (Qesh) /www.story.al