Delinda Zhupa: Burrit tim i pëlqejnë shumë imitimet e femrave të famshme të televizionit

Nga drejtoresha e Tatimeve në gruan brenda familjes që tradhton burrin tek ajo seksi që bën famë me hiret e saj apo psikologen që i këshillon të gjithë, e deri tek imituesja e moderatoreve televizive, janë disa nga karakteret që tjetërsojnë si kameleon të vërtetë aktoren Delinda Zhupa. Me mbylljen e sezonit “Portokalli”, ajo përveç kohës që kalon me partnerin skenograf, Eldo Disha dhe djalin e tyre, e shohim në të tjera projekte të verës. Për balancën mes karrierës dhe familjes, sa e bukur ndihet në këtë botë ku shumë vajza të ekranit tundohen nga bisturia dhe plani për ta zgjeruar familjen i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të pamë në një projekt me Riselda Sejdijaj, çfarë të lidh me baletin duke qenë se të njohim si aktore?

Me baletin më lidhi Riselda te një projekt që, më lejoni t’ju them, u krijua një trupë shumë e mirë, një energji shumë e mirë dhe mora emocionin që kisha nevojë për të marrë. Por me balet jam marrë që e vogël, e ndaj nuk më trembi ky projekt për të marrë pjesë e për të dalë suksesshëm.

Si trupë e spektaklit “Portokalli” këtë verë po jepni show në qytete të ndryshme të vendit, nën titullin “Verë dhe portokalli”. Mund të përmendësh disa situata humori që krijoni me njëri-tjetrin kur udhëtoni me autobusët e Top-it?

Po ka pak që ka filluar turneu “Verë dhe Portokalli 2018” nëpër qytetet e Shqipërisë. Është një ekskursion shumë i bukur dhe ne ia kalojmë shumë mirë sepse na duket vetja (të paktën mua) si ekskursionistë dhe në mbrëmje unë bashkë me kolegët dalim nëpër sheshe dhe u dhuroj të qeshura pafund mijëra njerëzve. Zakonisht, s’para më qëllon të shkoj shumë me autobusin, sepse lëviz vetë, po kur shkoj, ju siguroj që nuk mungon një “miniportokalli” brenda autobusit. Këngë, humor, lojra, valle e plot gjëra të bukura.

Delinda-Zhupa-4

Ndërkohë, të dielave shohim në ekran sekrete të “Portokalli” me momente të përballjes suaj me numrat që bëni javë pas jave. Ti me ç’situata qesh me shpirt kur sheh veten dhe a mund të përmendësh ndonjë koleg që të bën të qeshësh me lot?

Ka filluar dhe sinqerisht është shumë bukur të shoh veten kur gaboj ose në momente kur më kap e qeshura me lot. Në të gjitha rolet jo vetëm unë, por të gjithë aktorët, bëhen njësh me rolin, sepse po mos të ishte kështu, unë s’do të isha këtu të jepja intervistë për lexuesit që admirojnë punën time.

Në dyshen me Gaz Pajën, cilat momente do të veçoje si më specialet?

Momenti i dyshes se suksesshme Nasi-Fotinia ka qenë kur luan numrin e qendrës tregtare. Një pjesë shumë e bukur, të cilën e kemi shijuar pafund dhe kemi qeshur me veten. S’ka si të jetë ndryshe kur je përpallë një super personazhi siç është Nasja, dhe një super aktori siç është Gazmend Paja.

Delinda-Zhupa-5

Je shprehur se marrëdhënia me bashkëshortin është shumë e fortë dhe ai shpesh të këshillon apo të motivon. Eldo, për cilin rol të komplimenton?

Eldo është gjysma ime. Në çdo krijim timin më qëndron afër, më sugjeron, më kritikon, por sezonin që mbyllëm i pëlqeu Alketa Vejsiu, Eni Vasili, etj…

Roli i psikologes është shumë i veçantë. Ti e përgatit vetë skenarin dhe kur vjen puna me veten, çfarë i përsërit vetes nëse je e mërzitur?

Po, tekstet e psikologes i shkruaj vetë. Kur jam e mërzitur? Nuk më ndodh të mërzitem, jam shumë e qeshur e nëse mërzitem më kalon sa shoh fytyrën e tim biri, ose sa më thërret: “Ma”.

Je tashmë dhe nënë e djalit. Je tipi i nënës posesive me djalin tënd?

Nuk jam nënë posesive aspak.

Delinda-Zhupa-2

Bukuria fizike për një aktore humori, sa e rëndësishme është, të ndodh ndonjëherë që nuk e vënë re këtë te ty?

Kush tha që s’e vënë re? E vënë shumë re, se nuk jemi në kohën e Estradës, jemi në kohën e vitit 2018 ku përveç televizorit ka “Instagram”, “Facebook”, e të tjera rrjete sociale. Bota ka evoluar, imazhi dhe sidomos e bukura është në kulmin e kohës së vet, por kuptohet, këtu po arrihet vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve estetike. Këtu të gjithë janë bërë Barbie.

Ke dëshirë të bëhesh nënë me shumë fëmijë dhe sa e zonja ndihesh të mbash familjen dhe karrirën në të njëjtën kohë?

Kur t’i vijë koha, ndoshta Zoti do të na bekojë me një fëmijë të dytë. Ndihem shumë e zonja e vetes e kështu që rrjedhimisht jam e zonja edhe e familjes sime. Është e vështirë, por gjithçka e ka një zgjidhje.

Delinda-Zhupa-3