Del DOSJA/ Si u ekzekutua me 55 plumba në Sukth, Toni Dervishi
Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala në News24 trajton atentatin ndaj Fatjon Dervishit, i njohur si Toni Dervishi, i cili u ekzekutua në Sukth më 26 shtator të këtij viti. Toni Dervishi ka qenë nën hetim nga autoritetet holandeze për trafikim të lëndëve narkotike.
Është mesnatë, ku mbi shinat e trenit, një automjet Audi A7, ngjyrë e zezë, po përpiqet të çajë sa të mundet errësirën, në një rrugë e cila jo vetëm është e amortizuar, por edhe e pandriçuar që nuk të jep shumë mundësi të shikosh më gjatë përpara.
Në këtë orë, në këtë zonë të Sallmones, në lokalitet i vogël pranë Shijakut, lëvizjet janë thuajse të rralla, Toni Dervishi, në drejtimin e automjetit dhe miku i tij Ergis Shahini sapo po kthehen nga një darkë e konsumuar në Tiranë, në një nga restorantet e kryeqytetit. Deri në këtë moment, asgjë nuk duket se do ua prishë shijen e një mbrëmje të kaluar këndshëm në shoqërinë edhe të miqve të tjerë. Ndërsa sapo kanë kaluar shinat e trenit dhe mjeti me të cilin udhëtojnë ka ulur shpejtësinë për shkak se rruga në këtë zonë të fshatit është jo e mirë, udhëtimit të tyre duket se këtu i ka ardhur fundi.
Edhe pse janë akoma larg, pikës së tyre të mbërritjes, i pari që del i lemeritur nga makina është drejtuesi i makinës, Toni Dervishi, i cili ka marrë disa plumba në trup. pikërisht nga krahu i shoferit, aty nga ku u shkreh një breshëri e gjatë automatiku. I dyti pas tij, që rend ti vijë në ndihmë mikut të plagosur dukshëm rëndë, është pasagjeri në vendin e parë të makinës, Ergis Shahini, që me gjithë thirrjet e tij për ndihmë, askush nga automjetet e pakta që lëvizin në këtë orë në këtë aks rrugor, nuk pranon të ndalojë.
Por fati i Toni Dervishit duket se ishte i parashkruar në ato plumba, që më pas do të rezultonin fatal për të. Ai humbi jetën vetëm pak momente pasi një autoambulancë e shoqëroi në spitalin më të afërt rajonal, ndërsa zbardhja e ditës, solli edhe reagimin e parë paraprak të Policisë së Durrësit, mbi ngjarjen.
Një atentat që në fakt, në pamje të parë, për vetë mënyrën e egër dhe tinëzare, por edhe pritën se si u organizua dhe u qëllua makina e drejtuar nga viktima, të linte pak mëdyshje, se vrasja kishte motive shumë më të forta, se sa një krim ordiner për shkaqe shpesh banale që ndodhin në Shqipëri.
“Më datë 27 shtator 2023, në Katund Sukth, tek shinat e trenit, është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasi Fatjon Dervishi, 38 vjeç, ku ky shtetas, u transportua në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra, nuk mundi të shpëtojë dhe për pasojë ndërroi jetë në spital”.
Por kush ishte Toni Dervishi, që emrin e vërtetë e kishte Fatjon Dervishi, por që njëkohësisht mbante edhe gjeneralitetet Toni Margen? Çfarë përfaqësonte ky personazh për shënjestruesit e tij, dhe a ishte ai aq i pastër në kartelën e tij, sikurse u tha në raportimin e parë mediatik të lajmit për ekzekutimin e tij?
Por përpara se të shkojmë te vetë personazhi i Fatjon Dervishit apo Toni Margen, viktima me shumë emra, një precedent gati i zakonshëm tanimë për kontigjentët e krimit në Shqipëri, që pas ndërrimit të gjeneraliteteve, fshehin të shkuarën e tyre të errët. është me interes të ndjekim itinerarin e tij të fundit në këtë jetë.
Atë që ndoshta kanë ndjekur edhe vetë qitësit e tij, të cilët duket se kanë pasur informacione gati të përpikta mbi lëvizjet e presë së tyre. Ashtu si edhe mëngjesin, në ndërrim të datave 26 dhe 27 shtator, kur ata e pritën me durim viktimën e tyre në një rrugë ku ai do ta kishte të pamundur tu shpëtonte plumbave.”, thuhet në dosjen hetimore.
“Shërbimet e Policisë, në drejtimin e prokurorit, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për rastin. Konkretisht, deri më tani, në ambientet e policisë, janë shoqëruar për t’u pyetur mbi rrethana të kësaj ngjarje, 7 shtetas, mes tyre edhe shtetasi Ergis Shahini, pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari. Por çfarë tha për oficerët e policisë gjyqësore, Ergis Shahini, njeriu që përveç tmerrit të plumbave që përjetoi, që këtë herë i fishkëllyen fare pranë, ishte edhe personi i vetëm që mund të hidhte disi dritë për hetuesit në këtë ngjarje të veshur nga errësira. Cila ishte përditshmëria e tyre para se të binin pre e plumbave dhe kush ishin miqtë me të cilët ndanë darkën e fundit në Tiranë, para se të ktheheshin në Shijak, në banesat e tyre? Pavarësisht tronditjes së fortë që pësoi për humbjen tragjike të Toni Dervishit, Ergis Shahini tregoi për hetuesit, se ai ishte bashkuar me mikun e tij tashmë të ndjerë, vetëm pak orë para se të binin pre e atentatit”, – thuhet në dosjen hetimore.
“Në momentin e atentatit kam qenë në makinë me viktimën, Toni Dervishi (Margen). Ne u takuam rreth orës 20.30 në një lokal në Maminas dhe u nisëm në drejtim të Tiranës, për të darkuar, ku lëvizëm me një makinë Audi A7.” ka deklaruar Ergis Shahini.
Pra siç shikohet nga kjo pjesë e parë e dëshmisë së dhënë nga miku i tij Ergis Shahini, Fatjon Dervishi, lëvizte me një automjet jo të vetin, çka tregon ndoshta për një kujdes të shtuar nga ana e këtij të fundit, përsa i përket sigurisë fizike. Ndërkohë që nuk duket e paqëllimshme, fakti që ai ka zgjedhur të jetë i shoqëruar në lëvizjet e tij, qoftë edhe në orët e vona të natës.
Me mendimin se armiqtë e tij, do e mbanin dorën nëse do kishin informacion se ai lëvizte me persona që nuk ishin objektiv të shënjestrës së tyre, por duke iu kthyer mbrëmjes së fundit, para konsumimit të krimit, Ergis Shahini, dha për hetuesit informacione interesante për dinamikën e lëvizjes dhe njerëzit që ai dhe Fatjon Dervishi, takuan atë atë mbrëmje në Tiranë.
“Siç ju shpjegova, pasi u takova me Tonin, në lokalin në Maminas, ne u nisëm drejt Tiranës. Kemi ardhur nga autostrada, tek Zogu i Zi dhe më pas kemi udhëtuar për në qendër, e më tej kemi shkuar në një lokal tek liqeni, emrin i të cilit nuk më kujtohet.”, ka deklaruar Ergis Shahini.
Pasi janë ulur në restorant, Ergis Shahini, kujton se në të njëjtën tavolinë me të dhe Tonin, pa kaluar disa minuta, janë bashkuar edhe katër persona të tjerë të cilët ai rezulton se i njeh. Takim midis tyre që mesa duket nuk ka qenë i rastësishëm, ku sipas tij, darka ishte organizuar nga një mik i tyre i përbashkët me profesion këngëtar, i cili atë natë kishte ditëlindjen.
“Atë natë tek lokali kanë ardhur dhe katër persona të tjerë, që janë shokët tanë. Ata janë Thoma Mehmetllanaj, nga Vlora, njëri ishte Endri Egra, që e thërrasim Dulla, me profesion këngëtar, si dhe dy persona të tjerë të cilët i njoh si fytyrë pasi i kam takuar me Dullën. Ne kemi shkuar për darkë pasi Thomasi na ka thënë në telefon se Dulla ka ditëlindjen dhe na ka ftuar. Ajo që di është se Thomasi ka ardhur me makinën e vetë një Mercedes Benz GT, ngjyrë të zezë. Pasi kemi ngrënë darkë, ku kemi bërë biseda të zakonshme, rreth orës 22.00, jemi përshëndetur dhe unë së bashku me Toni Dervishin jemi nisur për në shtëpi në Katund Sukth, ndërsa personat e tjerë u larguan për në drejtimet e tyre.”, ka deklaruar Ergis Shahini.
Sipas Ergis Shahinit, ai dhe Toni në drejtimin e makinës, në kthim ndoqën të njëjtin itinerar, sikurse edhe në mbërritje, ku gjatë rrugës kanë bërë një tjetër ndalesë të shkurtër, por pa specifikuar nëse në këtë ndalesë, takuan të tjerë persona.
“Kur u kthyem ne ndoqëm të njëjtën rrugë sikundër edhe erdhëm. Ne fillimisht kaluam në qendër të Tiranës, më tej në autostradë dhe më pas në daljen e Maminasit ku ndaluam sërish në një lokal në zonë. Në këtë lokal ne qëndruam 5 minuta, sa pimë një kafe, e më pas u nisëm me makinën e Tonit për në shtëpi, në Katund Sukth.”, thuhet në deklaratën e Ergis Shahinit.
Interesant në rrëfimin e Ergis Shahinit, është fakti që ai tregon për grupin hetues, se pasi u larguan nga Maminasi në drejtim të fshatit Katund Sukth, ata nuk morën rrugën e autostradës, por ndoqën një rrugë mes fshatrave të Shijakut
Ndërsa rezulton se informacioni i organizatorëve të pritës, të ketë qenë i saktë deri në përpikmëri, si për itinerarin që po ndjek makina e drejtuar nga Toni Dervishi, kohën e kthimit, por edhe për devijime të ndryshme që ai mund të kryente gjatë rrugës.
“Nga Maminasi nuk jemi futur në autostradë por kemi bërë rrugën e vjetër dytësore duke kaluar në fshatin Koxhas, Fermë Sukth dhe nga rruga e Sallmonës më pas kemi marrë atë për në Katund Sukth. Duke ecur në rrugë pa arritur tek shinat e linjës hekurudhore, në lagjen ‘Barametaj’, Toni uli shpejtësinë e makinës pasi rruga ishte me gropa, por sapo uli shpejtësinë unë dëgjova një breshëri armë zjarri të tipit automatik e cila vinte nga krahu i shoferit dhe goditi makinën ku ishin ne”.
Në këtë moment, Ergis Shahini, i tmerruar nga ajo që pa, të vetmen gjë që thotë se ka menduar, është të shpëtojë veten, ndërkohë që makina pasi ishte goditur nga plumbat, po kryente lëvizje të pakontrolluara. Për shkak se Toni ishte i plagosur rëndë dhe i pavetëdijshëm në timon.
“Unë pashë Tonin që u plagos dhe e lëshoi veten. Nga krahu ku ai ishte unë kapa timonin e makinës dhe e mbajta për disa metra në mënyrë që makina të mos binte në kanal, pasi makina eci diku te 15 metra, u ndal. Në këtë moment unë dola nga makina, dhe pasi pashë që nuk kisha dëmtime nga breshëria e armës së zjarrit, fillova të bërtas duke kërkuar ndihmë, por nuk mu afrua njeri.”, thuhet në deklaratën e Ergis Shahini.
Ergis Shahini e mbylli rrëfimin e tij për grupin hetues duke thënë se nuk i njihte personat që i zunë pritë makinës me të cilën ata udhëtonin, madje ai as nuk pati kohë dhe mundësi ti shquajë në atë errësirë. Ndërkohë që miku i tij kishte humbur shumë gjak dhe koha po punonte kundër tij, ashtu sikurse ndodhi, kur nuk ia doli të shpëtonte i gjallë nga ky atentat.
“Menjeherë pas atentatit, kaluan disa automjete por dhe ata nuk ndaluan, ku pas tyre erdhi një makinë Mercedez Benz dhe ndaloi. Ishte një djalë i ri dhe i thashë të më ndihmonte, në këtë momenti erdhi edhe furgoni i policisë. Së bashku me djalin që ndaloi me makinë dhe punonjësit e policisë, e morëm Toni Dervishin dhe pasi e futëm në makinë u nisëm për në Spitalin e Durrësit, por edhe pse e dërguam në spital dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve Toni ndërroi jetë nga plumbat e marrë. “, thuhet në deklaratën e Ergis Shahinit.
Në lidhje me këtë ngjarje në pyetje u morën edhe dy miqtë e viktimës, të cilët atë mbrëmje e kishin ftuar për të festuar ditëlindjen e njërit prej tyre. Por ashtu siç pritej, ata nuk dhanë ndonjë dëshmi me interes për grupin hetimor, përveç rrethanave se si ishin takuar, ndërsa lajmin për vrasjen e mësuan nga televizori.
“Endri Egra i njohur si ‘Dulla’ dhe Thoma Mehmetllanaj, dy personat që kanë qenë në darkë me Toni Dervishin, thanë në deklarimet e tyre pasi ata u ndanë atë mbrëmje, se Toni Dervishi u nis për në Durrës me Ergis Shahinin, ndërsa ata vijuan për në shtëpitë e tyre. Lajmin për vrasjen e Dervishit, deklaruan se e mësuan nga televizori dhe nuk ishin në dijeni të problemeve të tij. Edhe pse Policia ngriti pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve të krimit, edhe këtë herë ata u zhdukën bashkë me errësirën e natës, madje ndryshe nga shumë raste të ngjashme, as nuk e panë të arsyeshme që të djegin automjetin me të cilin kryen krimin.”, thuhet në dosjen hetimore.
Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të FNSH-së Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës. Paralelisht me ngritjen e postblloqeve, grupi hetues sekuestroi edhe kamerat e sigurisë në zonë, por edhe më tej. Kjo me qëllim evidentimin e lëvizjeve të personave apo automjeteve të dyshimta, që mund të kishin lidhje me ngjarjen, apo që ishin vënë në ndjekje të makinës së drejtuar nga Toni Dervishi.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26 Shtator 2023, ku rreth orës 23.45, mbeti i vrarë shtetasi Toni Dervishi, me qëllim hetimin e plotë të ngjarjes, u sekuestruan njëkohësisht kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor Maminas-Shijak-Sukth-Sallmonë. Aksi që viktima ka ndjekur, ku janë ushtruar po kështu kontrolle banesash, kqyrur celularë, si dhe është bashkëpunuar me ZQK Interpol Tiranën, për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës automjeti që drejtonte Toni Dervishi (Margen) si dhe 2 celularë të tij.”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa grupi hetues u kujdes që të gjente elementë kompromentues, gjatë kqyrjes së pamjeve filmike në zonën e krimit, por edhe përreth, sasia e predhave të plumbave që u gjetën në vendin e krimit, të lëshuara ndaj makinës së Toni Dervishit, nuk tregoi asgjë tjetër, përveçse ashpërsisë me të cilën qitësit kërkonin apo ishin urdhëruar të eleminonin me çdo kusht atë. Por edhe faktin që në të gjithë atë mizëri plumbash, ata u kujdesën që të qëllonin vetëm ndaj objektivit të tyre, pa lënduar pasagjerin që gjendej në krah të tij.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 26 Shtator 2023, rreth orës 23.30, në vendin e quajtur Lagjja e ‘Barametë-ve’ në Sallmonë, ku mbeti i vrarë shtetasi Toni Dervishi, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, fillimisht u fiksua automjeti Audi, ngjyrë e zezë. Ky automjet rezulton i dëmtuar në anën e jashtme me vrima të shkaktuara nga predhat e armëve të zjarrit me drejtim nga jashtë-brenda, kryesisht në derën e shoferit ku ka qenë i ulur viktima Toni Dervishi, ku në brendësi të mjetit gjendet një bërthamë predhë armë zjarri. Jashtë mjetit në formë të çrregullt gjenden në tokë 55 copë gëzhoja armë zjarri model 56 kalibër 7.62 mm.”, thuhet në dosjen hetimore.
Pavarësisht profilit të ulët në dukje që ekspozonte viktima, i cili nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer në Shqipëri, gjetjet e grupit hetues folën për të kundërtën e jetës së tij të qetë dhe pa telashe. Sipas informacioneve të mbërritura nga partnerët holandezë, Toni Dervishi, ishte skeduar në këtë shtet, si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, por nuk dihet në çfarë nivelesh ai kishte qenë pjesëmarrës dhe si kishte mundur tia hidhte drejtësisë në këtë vend.
Ndërkohë që Holanda dhe portet e saj janë të njohura si rrugë të trafikimit detar të lëndëve narkotike, por edhe si vendstrehimi i shumë shqiptarëve të cilët e kanë kthyer në zanat pikërisht këtë punë, ku shumë prej atyre janë eleminuar në një luftë të egër të zotërimit të pushtetit, ndërsa disa të tjerë kanë marrë pushtetin e drogës në dorë. Viktima të kësaj lufte të cilat janë shpërndarë sa midis Holandës apo Belgjikës, apo edhe në kthimin e tyre në Shqipëri, ashtu siç nuk përjashtohet të jetë edhe rasti i Fatjon Dervishit, apo ndryshe Toni Dervishi (Margen).
“Nga verifikimet e deritanishme të kryera në koordinim me homologët holandezë, ka rezultuar se shtetasi Toni Dervishi (Margen) ka qenë i hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa ky duket të jetë fati i djemve të ashtëquajtur të mirë, të cilët ruajnë një profil të papërlyer në vendin e tyre të origjinës, në këtë rast në Shqipëri, siç është edhe ai i Toni Dervishit, që kishte vënë pasuri të paluajtshme, pa pasur ndonjë biznes të deklaruar, e vërteta ngjan të jetë krejt e ndryshme. Përplasjet e botës së nëndheshme të krimit, të cilat nisin jashtë, apo përfshirja e njerëzve të afërt me viktimat në punët e liga, ka kohë që po prodhon ngrënien e kokës së rrethit të tyre të ngushtë familjar.
A është edhe ky rasti i Toni Dervishit, dhe a është ai produkt i radhës i një larje hesapesh në trafikun e drogës, ku i përfshirë del të jetë edhe vëllai i tij?
Një pistë kjo që me gjasa mund ti qëndrojë dhe ti shkojë përshtat më shumë versionit më të besueshëm të eleminimit të tij. Por çfarë është kjo pistë dhe si humbjet në trafikun e drogës kanë prodhuar pengje, pabesi dhe zhdukje mizore trupash, ku të përfshirë janë edhe shqiptarë, midis tyre lidhje gjaku e Toni Dervishit.
Cila është ana e errët e pazbuluar e Toni Dervishit, dhe a ishte vrasja e tij një krim i paralajmëruar, si dhe çfarë lidhje ka ai me një përplasje të dhunshme që ka nisur në Spanjë midis vëllait të tij Farbardh Dervishi, që mban edhe mbiemrin Doda dhe Edmir Vlashit, për një sasi të madhe droge që supozohet të ketë humbur në gadishullin Iberik?
Humbja e kësaj sasie droge që çoi edhe në mbajtjen peng në Spanjë të një të riu shqiptar nga Lezha dhe zhdukjen e tij, për të mos u gjetur edhe sot trupi i tij.
Sipas të dhënave që ka siguruar emisioni ‘Në Shënjestër’, Fatbardh Dervishi (Doda) me banim në Shijak, vëllai i Fatjon Dervishit të vrarë së fundmi, ka qenë mik për kokë me Edmir Vlashin, si edhe pjesë e të njëjtit grup kriminal që merrej me trafikun e kokainës.
Ata dukeshin mirë për sa kohë biznesi i tyre funksiononte, por kjo miqësi duket se mori fund pas përplasjeve që nisën brenda grupit kriminal, i cili nuk u hetua asnjëherë nga prokuroria shqiptare. Por një ngjarje e ndodhur në qytetin e Malagas në gusht të vitit 2018, thuhet se e krisi njëherë e mire, për të mos u ngjitur më, miqësinë tashmë të trazuar midis tyre. Kjo ngjarje e cila u bë shkak që marrëdhëniet midis tyre të ktheheshin nga miqësore në armiqësore, ishte zhdukja e Tauland Malshit, shokut të ngushtë të Edmir Vlashit, me të cilin ky i fundit, kishte kaluar edhe një pjesë të fëmijërisë së tij. Mikun që Vlashi e kishte marrë me vete në Spanjë, dhe në mirëbesim ia la një grupi të rrezikshëm kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe Fatbardh Dervishi (Doda).
Ndërsa Edmir Vlashi, që mban edhe mbiemrin Marku, priste që shoku i tij Tauland Malshi të kthehej në vendin ku e kishte dorëzuar në duart e grupit kriminal, diçka duket se nuk kishte shkuar si duhet atë fund gushti të vitit 2018.
Sipas familjarëve të tij, Taulandi do qëndronte në Spanjë për një periudhë 3 mujore, por që nga data 25 gusht e këtij viti ai humbi çdo kontakt me familjen.
Do të ishte vetë Edmir Vlashi (Marku) që njoftoi familjen e Taulandit, se ky i fundit kishte humbur kontaktet në Spanjë, por pa dhënë detaje se në çrrethana kishte humbur kontaktet me të. Do të duheshin të kalonin pak kohë për të kuptuar se Tauland Malshi u la rob, në duart e një grupi vendas kriminal në Spanjë, që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Grup ku të përfshirë ishin edhe shumë shqiptarë, midis tyre edhe Edmir Vlashi (Marku) dhe Fatbardh Dervishi (Doda) dhe se ai ishte vrarë në mënyrë mizore, duke u hedhur më pas në det.
Lajmin e parë për zhdukjen e papritur të Taulandit e mësoi vëllai i tij Valentini, i cili këtë kohë jetonte në Britaninë e Madhe. Ai u telefonua nga Spanja, pikërisht nga Edmir Vlashi, që e vuri në dijeni se Taulandit i kishte ndodhur diçka jo e mirë, dhe se personi që kishte gisht në zhdukjen e tij ishte Fatbardh Dervishi (Doda). Menjeherë pasi mori këtë lajm, Valentini telefonoi familjen e tij në fshatin Tresh në Lezhë, ku e vuri në dijeni për telefonatën jo të zakontë që kishte marrë nga Edmiri. Ndërkohë që fill pas kësaj bisede, Ndok Malshi, babai i Tauland Malshit, iu drejtua komisariatit më të afërt të policisë për të denoncuar zhdukjen e djalit të tij.
“Djali im Tauland Malshi, ka shkuar në Spanjë më datë 20 Gusht 2018, për një periudhë qëndrimi tre mujore. Gjatë kësaj kohe unë u telefonova nga shoku i djalit tim, i quajtur Edmir Vlashi, me qëndrim në Spanjë, i cili më tha se kishte humbur kontaktet me Taulandin. Djali ishte thirrur nga Fatbardh Doda, nga Sukthi i Durrësit, por me qëndrim në Spanjë.”, ka deklaruar Ndok Malshi.
Por vetëm pak ditë pasi kishte bërë denoncimin në komisariatin e Lezhës, për humbjen e të birit, Ndok Malshi, tashmë duhet të përballet me lajmin e zi se djali i tij nuk është më në jetë, dhe këtë lajm ia jep vetë Edmir Vlashi, i cili i tregon babait të Taulandit fundin mizor me të cilin ishte përballur djali i tij dhe njëkohësisht shoku i tij i ngushtë.
“Më datë 30 Gusht 2018, unë u telefonova sërish nga Edmir Vlashi, i cili më tha se më 25 Gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda. Edmiri më tregoi se Fatbardhi i kishte thënë: ‘Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga.”, ka deklaruar më tej Ndok Malshi.
Ndok Malshi nuk u mësua kurrë me lajmin e humbjes së djalit të tij. Gjatë kësaj kohe ai njoftoi policinë e Lezhës mbi atë që kishte ndodhur, ndërkohë që vetë udhëtoi drejt Spanjës, për të takuar Edmir Vlashin. Më 4 shtator 2018, Prokuoria e Lezhës, në bazë të kallëzimit të kryer nga babai i Tauland Malshit, regjistroi një procedim penal për ‘vrasje me dashje’.
Edmir Vlashi, e pohoi lajmin për humbjen tashmë të jetës së mikut të tij, edhe në telefonatën që pati me Denis Markun, djalin e xhaxhait të Taulandit, ku edhe në këtë telefonatë ai i rrëfeu se autor i krimit ishte Fatbardh Dervishi (Doda), por pa dhënë detaje më të hollësishme përse Dervishi e kishte ndërrmarrë këtë akt.
Ndërkohë që Denisi nis një komunikim të gjatë nëpërmjet mesazheve në rrjetin social facebook me Edmir Vlashin, ku i kërkon këtij të fundit të dijë diçka më shumë rreth Fatbardh Dervishit, që kishte ndërruar mbiemrin në Doda, mesazhe që u morën në administrim edhe nga grupi hetues i ngritur për këtë punë.
“Nga numri i Denis Markut i kërkohet personit të shënuar me emrin shoku i Landit: ‘Më duhet çdo e dhënë për Fatbardhin’; sms e bërë kjo në orën 19.21 më datë 30 Gusht 2018, ku personi tjetër i thotë: ‘Shok ditëlindjen se kam këtu, nesër kam takim me avokatin e tij’.
Më pas Denis Marku i shkruan po në orën 19.22; ‘Naj foto, emrin e babës’, ndërkohë që personi tjetër po në orën 19.22 i shkruan; “nesër 99 % do kem dhe të dhënat e shqiptarit tjetër’. Në një tjetër mesazh, Denisi i shkruan shokut të Landit: ‘Fatbardh e ka’.
Personi tjetër i kthen përgjigje: ‘Fatbardh Dervishi, por e ka ndërruar Fatbardh Doda tash’. Më tej Denisi i çon Edmir Vlashit një tjetër mesazh, në orën 19.23 më datë 30 Gusht 2018: Foto ske kund? Ndërsa nga numri tjetër vjen përgjigja: ‘No, por them se nesër gjej. Se kishte fshi dhe fb’”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ndërsa familja Malshi, po përjetonte ditët e saj më të vështira, në lajmin e kobshëm se djali i saj ishte rrëmbyer në Spanjë dhe ishte përballur me një fund tragjik, duket se grupi kriminal që kishte kryer ekzekutimin e Tauland Malshit, po përpiqej të krijonte mendimin e rremë te të afërmit të tij, se Landi siç edhe i thërrisnin shkurt Taulandit, ishte gjallë. Kështu, Denis Markut, vetëm 2 ditë pasi ishte njohur me fatin e keq të kushëririt të tij, i vjen nga një adresë false, një mesazh sikur ishte vetë Tauland Malshi ai që po shkruante.
“Më datë 27 Gusht 2018 në orën 11.00 ka një mesazh në telefonin e shtetasit Denis Marku nga një adresë facebook, me emër fals Floro-Floro i cili i shkruan: ‘Denis’.
Më datë 31 Gusht 2018 ora 01.26, Denisi i kthen përgjigje nëpërmjet adresës së tij Denisi-Denisi, mesazh shkruesit Floro-Floro: ‘Kush je’.
Nga Floro-Floro dërgohet mesazhi: ‘Kusho prej burgut, a kupto mos fol me emra’.
Në këtë moment Denisit i dërgohet sms: ‘L’. Që mund të jetë gërma e parë e emrit Landi, shkurtim i emrit Tauland.
Nga Denisi-Denisi kërkohen të dhëna të tjera.
Në orën 10.39 datë 31 Gusht 2018: ‘Sa vjeç janë nëna dhe baba dhe si e ka emrin babai im’.
Nga Floro-Floro në orën 10.40 datë 31 Gusht 2018, vjen mesazhi; ‘Leka dhe Marjana’,” thuhet te dosja hetimore.
Theksojmë se prindërit e Denis Markut quhen Preng dhe Dave, ndërsa prindërit e Tauland Malshit, Ndok dhe Lizë.
Në orën 10.48 datë 31 Gusht 2018 nga Denisi-Denisi shkruhet; ‘Ne jena mbledh për mort o shok, në qofsh tu u tall kush, ma ke borxh’. Vetë nëna e Tauland Malshit, Lizë Malshi në një intervistë të dhënë dy vite më parë për emisionin Në ‘Shënjestër’, tregoi, se si ata familjarisht shkuan te banesa e Fatbardh Dervishit (Doda) në Shijak, kjo pasi mësuan nga Edmir Vlashi se ai kishte gisht në zhdukjen e djalit të tyre.
Banesë ku i priti Ramazani, babai i Fatbardh Dervishit. Ramazan Dervishi që konfirmoi edhe përpara grupit hetues, takimin me të afërmit e Tauland Malshit, në banesën e tij. Por Ramazan Dervishi, ashtu sikundër pohoi para familjes Malshi, edhe para grupit hetues, mohoi të kishte dijeni për veprimtarinë e djalit të tij në Spanjë. Ndërkohë që fill pasi këtij ballafaqimi, familja Malshi, tha se ata u telefonuan nga një oficer policie, që u kërkoi që të mos e shqetësonin më babain e Fatbardh Dervishit, pasi ai sipas zyrtarit të policisë, nuk dinte asgjë për ngjarjen që i kishte ndodhur djalit të tyre.
“Disa persona në emër të Ndok Malshit kanë ardhur të më takojnë në shtëpi por unë nuk di asgjë lidhur mbi këtë çështje. Mua më ka marrë në telefon djali im Fatbardh Doda nga Spanja, dhe më ka kërkuar numrin e një funksionari të policisë.
Zhdukja e mikut të tij Tauland Malshi, të cilin ai e kishte lënë në besë në Spanjë, vendosi të parin përpara përgjegjësisë, vetë Edmir Vlashin. Me të mbërritur në Lezhë, u thirr nga grupi hetues për të dhënë dëshminë e tij, lidhur mbi këtë ngjarje, ku ai konfirmoi para oficerit të policisë gjyqësore, takimin që Tauland Malshi pati në Spanjë me Fatbardh Dervishin.”, ka deklaruar Ramazan Dervishi (Doda), babai i Fatbardh Dodës.
“Unë kam njohje fëmijërie me Tauland Malshin, pasi jemi nga i njëjti fshat, Tresh, në Njësinë Administrative Zejmen, Lezhë. Ne kemi shkuar bashkë në Spanjë në Malaga rreth orës 11.00 të datës 22 Gusht 2018, ku jemi akomoduar në një hotel në qytezën Fungirola. Këtu, ku do të qëndronim 10 ditë për pushime. Gjatë kësaj kohe shoku im Taulandi më ka thënë ta shoqëroja në qytezën Cijuela të Granadës, pasi do të takohej me Fatbardh Dervishin. Kur kemi shkuar atje jemi takuar me personin në fjalë, ku ai na tha ta ndiqnin nga pas me një automjet që e kishin marrë me qira.
Fatbardh Dervishi, ishte ndërkohë me një shtetas spanjoll. Gjatë rrugës makina e Dervishit ka ndaluar, ndërkohë që Taulandi hipi në automjetin e tij. Unë u ktheva për në Malaga, por ndërsa priste që Taulandi të kthehej, kjo gjë nuk ndodhi më kurrë. Ai se pa më shokun e tij, të cilin tha se e kishte lënë një makinë në shoqërinë e Fatbardh Dervishit dhe një shtetasi spanjoll, për të cilin nuk dha njohje.”, ka deklaruar Edmir Vlashi.
Gjatë marrjes në pyetje, Edmir Vlashi rrëfeu edhe për lidhjen e tij me Fatbardh Dervishin.
“Me Fatbardh Dervishin, njihem që nga viti 2010. Ku kemi qenë në burg të dy për një kohë të shkurtër, ku nuk është se kishin ndonjë shoqëri. Nga viti 2010 deri në korrik të vitit 2017 nuk e kam takuar, më pas jemi takuar në Spanjë, ku dhe kemi mbajtur kontakte me njëri tjetrin. Në Spanjë unë këtë herë kisha shkuar vetëm për pushime dhe për asnjë lloj pune tjetër, ndërkohë që nuk kam dijeni se me çfarë pune merrej Fatbardh Dervishi.
Ndërsa për sa i takon njohjes mes Tauland Malshit dhe Fatbardh Dervishit, njohja mes tyre është bërë nga unë, por nuk e di se me çfarë është marrë Tauland Malshi në Spanjë dhe nuk kam dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur.”, ka deklaruar Edmir Vlashi.
Edhe pse Edmir Vlashi dha të dhëna mbi Fatbardh Dervishin, ai nuk tregoi asnjëherë për arsyet e vërteta që çuan në zhdukjen e shokut të tij të ngushtë. Edhe pse përpiqej që çdo takim me të, apo të Taulandit me Fatbardh Dervishin, t’ia linte në dorë rastësisë. Vetë Fatbardh Dervishi i shpëtoi prej shumë kohësh policisë, ndërsa ishte në kërkim, ai vazhdonte të shëtiste i lirë në Shqipëri. U desh një ngjarje me motive gati ordinere, që një ditë ai të binte në pranga. Ai u arrestua, më 20 janar 2022, vetëm 3 vite e 6 muaj pas zhdukjes së Tauland Malshit.
Pasi më 3 janar të këtij viti plagosi në dhomën e një hoteli, në autostradën Tiranë-Durrës, të dashurën e tij, të cilën e qëlloi me pistoletë në shpatull, në një ngjarje të cilën kjo e fundit e cilësoi aksidentale, por që i kushtoi prangat të dashurit të saj, ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak ditë pasi Fatbardh Dervishi ishte kthyer nga Spanja.
“Fatbardh Dervishi aktualisht ndodhet në burg, pas ekstradimit nga Spanja, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i caktoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Plagosja e rëndë në kushtet e tronditjes së fortë psikike’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit’ për plagosjen e së dashurës.
Në ditët e para të vitit 2022, Fatbardh Dervishi plagosi të dashurën 23-vjeçare nga Durrësi në një dhomë hoteli teksa po festonin së bashku Vitin e Ri. Pas plagosjes në hotel 32-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes.
Në atë kohë e plagosura e shfajësoi Dervishin duke deklaruar se ishte një ngjarje pa dashje, po në gjykatën e Durrësit vijon gjykimi ndaj tij për plagosje të lehtë. Dervishi gjithashtu ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash.”, thuhet në dosjen hetimore.
Grupi hetues gjithsesi beson se autor i vrasjes më të fundit të ndodhur mbrëmjen e datës 26 shtator 2023 në fshatin Katund Sukth, të Fatjon Dervishit, vëllait të Fatbardh Dervishit, është Edmir Vlashi, i cili dyshohet se e ka kryer këtë ekzekutim, si hakmarrje ndaj ish-mikut të tij Fatbardh Doda, që thuhet se është rrëmbyesi dhe torturuesi i Tauland Malshit, si dhe pas prishjes së pazareve të drogës që Vlashi kishte me Dodën që nga koha kur punonin së bashku në Spanjë. Tauland Malshi u la peng në duart e një grupi kriminal me origjinë kurde, për një sasi droge me vlerë 500 mijë euro, që më pas rezultoi se u zhduk dhe solli eleminime edhe në radhët e shqiptarëve, aty ku mendohet se Fatbardh Dervishi i kërkonte Edmirit paratë e drogës, por ky i fundit nuk ia pagoi, ndaj për këtë arsye vendosi të zhdukë Tauland Malshin.
Edmir Vlashi, u ekstradua nga Spanja në Shqipëri, por ai mundi të dalë nga burgu në muajin korrik të këtij viti, ku thuhet se fill pasi u lirua ai dyshohet se organizoi vrasjen e Toni Dervishit, ndërkohë që hetuesit besojnë se aktualisht ai ndodhet jashtë vendit.
Policia dyshon se vrasja e Toni Dervishit (Margen) zanafillën e ka tek e shkuara kriminale e vëllait të viktimës, Farbardh Dervishi, i cili mban edhe mbiemrin Doda, dhe që aktualisht ndodhet në burg. Në Spanjë Farbardh Dervishi ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me narkotikë por edhe me vepra të tjera penale si armëmbajtje, pastrim parash etj.
I veshur si polic ai ka bastisur disa magazina droge në Spanjë që përdoreshin nga grupet rivale. Dervishi gjithashtu ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash. Emri i tij del si person i implikuar edhe në zhdukjen e një shqiptari të identifikuar si Tauland Malshi në vitin 2018. Ndok Malshi, babai i Tauland Malshit u nda nga jeta me brengën, pa e mësuar kurrë fatin e vërtetë të djalit të tij, ndërkohë që familja Malshi nuk pati më kurrë kontakte me Edmir Vlashin. Ka dyshimet e veta lidhur mbi të dhe rolin e tij në rrëmbimin dhe zhdukjen e njeriut të tyre, ndërsa ky i fundit, në një lidhje direkte me emisionin ‘Në shënjestër’, tha se ishte i gatshëm të përballej me Fatbardh Dervishin, lidhur mbi zhdukjen e Tauland Malshit.
“Se përse Taulandi u ngjit në makinën e Fatbardh Dervishit, duhet të pyesni vetë Taulandin. Unë jam i gatshëm të përballem me Fatbardh Dervishin kudo”, ka deklaruar Edmir Vlashi.
Lënia peng në duart e kurdëve dhe zhdukja e Tauland Malshit në Spanjë, vrasja më pas e Toni Dervishit në Shijak, përshirja e vëllait të tij Fatbardh Dervishi Doda në grupet e narkotrafikut dhe përplasja e këtij të fundit me Edmir Vlashin, janë vetëm disa nga episodet e telenovelës së përgjakshme të tashmë miqve të kthyer në armiq. Histori horror në të cilën në një farë mënyre ka investuar edhe prokuroria shqiptare, e cila pothuajse nuk e ka hetuar aspak zhdukjen e Tauland Malshit në Spanjë. Seri e radhës, që solli edhe pse jo eleminimin e Toni Dervishit në Shqipëri, sagë që tashmë sapo ka nisur dhe nuk i dihet ende fundi. /Marrë nga BalkanWeb