Deklarata skandaloze e Bujar Kapexhiut: Humori është privilegj i të mençurve, femrat nuk kanë kapacitet ta bëjnë
Regjisori dhe skenaristi Bujar Kapexhiu, në një intervistë të dhënë së fundi, ka ofenduar gratë dhe vajzat, duke thënë se nuk kanë kapacitet që të shkruajnë humor, pasi sipas tij ky është një privilegj i të mençurve, që në mendjen e tij atashohen vetëm me meshkujt.
I ftuar në ‘Top Albania Radio’, Kapexhiu tha se nuk ka asnjë femër që shkruan humor, dhe se të gjitha barcaletat apo skenat që bëjnë audiencat për të qeshur prodhohen nga meshkujt.
“Këtu e kam absolute, vetëm mund të jetë ndonjë përjashtim i jashtëzakonshëm në botë, femër që shkruan humor nuk ka, sepse humori është privilegj i të mençurve. (Ooo kjo ishte e rëndë, të qeshura mes moderatorëve). A e dini që ka shumë barcaleta për femrat, i sajojnë meshkujt, e dini që ka shumë barcaleta për meshkujt, i sajojnë po meshkuj, se femrat nuk kanë kapacitet për ta bërë këtë”, u shpreh Kapexhiu, pa u tërhequr në asnjë moment nga kjo deklaratë skandaloze e tij.
Për të mos përmendur shumë zonja të nderuar, që kanë qenë pjesë e humorit dhe skenës në Shqipëri, mjafton t’i kujtojmë zotit Kapexhiu, se një prej filmave komedi më të pëlqyer nga shqiptarët, ‘Pallati 176’, është shkruar pikërisht nga një grua, Adelina Balashi.
Shumë gra të tjera, janë pjesë sot e spektakleve të humorit, por edhe skenës së Teatrit, nga të cilat duket se Kapexhiu e ka bërë një pauzë viteve të fundit.
voxnews.al