Deklarata e psikologes ndez debatin: Partnerit/es i duhet tradhtia që të kuptojë se duhet të ndahet
Procesi i ndarjes pas një lidhjeje dashurie mund të jetë i ndërlikuar, po aq sa edhe mendimet e kundërta që ‘u përplasën’ në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Psikologia Eksena Qirici e cila po shpjegonte fazat më të zakonshme që përjeton dikush pas ndarjes, u ndal te refuzimi për ta pranuar, sidomos kur ka një martesë në mes.
Qirici u shpreh se fillimisht ndarja fillon në mendje dhe pas 2 vitesh bashkëjetesë me personin, vjen divorci. Sipas psikologes, në këtë rast asnjëri nuk ka faj. Kjo solli replikë nga Dasara Karaiskaj që mendon se nëse dikush është ndarë në kokën e tij dhe pas 2 vitesh ‘zgjohet’, s’mund të jetë njësoj në raport me partnerin.
Eksena Qirici: Vë re që refuzimi për të pranuar ndarjen ndodh brenda martesës. Së pari ti ndahesh në mendjen tënde, pra pa ndodhur divorci sepse procesi i parë ndodh në mendje dhe ajo është elementi më i rëndësishëm për njeriun, pra ndarja që fillon në mendjen e njeriut dhe pastaj ndodh që pas 2 vitesh, kur njeriu ka bashkëjetuar me personin të cilin është ndarë në mendjen e tij, pastaj vjen procesi i divorcit. Çdokush ka mënyrën e tij sesi ndahet me një emocion. Askush nuk është më i mirë apo më i keq, nuk bëjmë dot krahasime, duhet respektuar…
Dasara Karaiskaj: Tani nuk është i keq një njeri që bashkëjeton 2 vjet me një njeri me të cilin në kokën e tij është ndarë? Është një njeri i mirë ky? Pra qenkan njësoj të dy këta dhe asnjëri s’ka gabim? Po të flas si një njeri që e ka jetuar në lëkurë një divorc, nuk më duket e…
Eksena Qirici: Procesi sesi ndahet një individ, nuk po gjykojmë nëse…
Dasara Karaiskaj: Meqenëse konkretisht analizuat rastin e një divorci i cili sigurisht nuk është i thjeshtë kur ka fëmijë në mes sepse vendimi për t’u marrë është i vështirë, por shumë më të vështirë e bën kur njëri nga partnerët zgjohet 2 vjet më vonë pasi në mendjen e tij e ka mbyllur me ndarjen.
Nisur nga pyetjet e të ftuarve për këtë, psikologia nisi të sqaronte se secili e përjeton ndryshe ndarjen, por Karaiskaj kundërshton sërish.
Eksena Qirici: Kur është procesi i ndarjes çdo individ e përjeton sipas mënyrës së tij dhe nuk mund të gjykojmë nëse…
Dasara Karaiskaj: Por nuk është përjetim të gënjesh partnerin 2 vjet, nuk është çështje përjetimi më.
Në një vazhdim të shpjegimit të saj, psikologia thkeson se i rëndësishëm në këtë bisedë është procesi dhe jo faji i individit që i referohet Karaiskaj. Kjo e fundit shprehet se dramat brenda një procesi divorci janë të pathënat e çiftit.
Eksena Qirici: Nuk mund të krahasojmë individin me dikë tjetër, mënyrën sesi e përjeton sepse ndarja është ndjesi shumë personale, varet nga faktorët dhe situatat, ndodh që një person i duhet një tradhti që të kuptojë që duhet të ndahet nga partneri. Do të thotë që çdo individ sigurisht që ka mënyrën e vet, ka momente që gabon në mënyrën sesi e percepton, patjetër, por nëse flasim si individ, çdo individ ka mënyrën e vet…
Dasara Karaiskaj: Dhe nuk ka faj një njeri, po ta përsëris pyetjen, nuk ka faj një njeri që ka nevojë të tradhtojë për të kuptuar që nuk do më të rrijë me partnerin? Është pa faj?
Eksena Qirici: Po gjykojmë fajin, e rëndësishme është të kuptojmë procesin sesi kalon një individ.
Dasara Karaiskaj: Po dramat brenda një procesi divorci janë këto për të cilat ju jeni duke folur dhe kam përshtypjen që si psikologe, duhet ta dini mirë këtë gjë, mendoj. Janë te ato të mosthënat që zvarriten.
Në përfundim të debatit, Karaiskaj u shpreh se e ka të vështirë të përfytyrojë mos të komunikojë dot me partnerin, edhe në rastet kur ka probleme. Ajo e konsideron të patolerueshme deklaratën e psikologes dhe shton se “nuk do të shkonte kurrë” për të bërë terapi te një person që ka këtë mendim.
Dasara Karaiskaj: Nuk mund të imagjinoj dot brenda një martese të mos bisedoj dot me njeriun që kam 10 vjet që fle në një krevat, është e paimagjinueshme kjo e thënë kështu. Pastaj njoh edhe vështirësinë, kuptoj edhe vështirësinë, sidomos kur një familje ka edhe fëmijën në mes, por duhet të ekzistojë përpjekja prandaj është edhe zonja atje që çifti të shkojë te psikologu, të bëjë terapi psikologjike dhe të kuptojë a është për të ndenjur akoma sepse ka filluar një krizë në çift, kështu duhet të funksionojnë, kështu funksionon në botën perëndimore. Unë nuk e toleroj dot, me gjithë respektin, jo pa respekt se nuk e njoh fare psikologen, por nuk e logjikoj dhe nuk e toleroj dot që në një program televiziv një psikologe të dalë e të thotë që nuk ka faj asnjëri nëse njëri nga partnerët gënjen 2 vjet, kjo nuk është…nuk do të shkoja kurrë të bëja një terapi psikologjike pas një divorci te një psikologe që mendon kështu.
tvklan.al