Dedikimi i Lorit për të atin: ‘Çfarë bekimi dhe çfarë mallkimi të lindja si vajza jote’
16 tetori mbetet përjetësisht festë në familjen e madhe të Top Media-s pasi përkon me ditëlindjen e themeluesit të ndjerë, Dritan Hoxha. Në 54-vjetorin e tij, ka qenë Lori Hoxha e cila ka marrë vëmendjen e të gjithëve përmes fjalimit emocionues dedikuar të atit.
Teksa bënte gëzuar për gjithë arritjet e sukseset e deritanishme duke falenderuar këdo që ka kontribuar në to, Lori rikujtoi me zë të lartë se ç’nder dhe ç’përgjegjësi është të jesh vajza e një njeriu si Dritan Hoxha.
“Çfarë nderi, çfarë kënaqësie, çfarë privilegji, çfarë vështirësie, çfarë lufte, çfarë bekimi dhe çfarë mallkimi paska qenë të vije në jetë si vajza e Dritan Hoxhës. U zgjova sot në ditën tënde – të cilën kemi vite që s’e festojmë dot më bashkë – dhe kujtime sesi që nga Rozafa e deri te Sheratoni më mbaje krah teje teksa festoje përvjetorin tënd dhe bëje pjesë të tij bashkëpunëtorë të ndryshëm.
Energjia jote që herë-herë të mbyste e herë-herë të ngrinte në qiell nuk mungonte në tavolinat e të gjithëve që festonin për ty dhe për vete.
U zgjova sot me mall, por edhe me inatin që nuk më përgatite dhe të ma kaloje stafetën ti. Megjithëse dyshoj që do të ma kaloje kaq herët, sepse sot do ishe vetëm 54 vjeç. Nëse të kam njohur aq sa duhet në ato 14 vitet e shkurtra, besoj që do të ndiheshe i sfiduar nga unë. Megjithëse, ja ku jemi dhe unë stafetën e mora vetë, me dëshirë dhe me luftë.”- u shpreh mes të tjerash Lori.
Trashëgimtarja e Top Channel e mbylli fjalimin duke shtuar se do të ishte zhgënjyese për të, të mos bënte asgjë për të çuar para televizionin për të cilin i ati punoi dhe sakrifikoi me aq pasion për vite me radhë.
Anabelmagazine