David: Unë këngëtari 18 vjeçar që u bëra BIG brenda vitit, ç’më lidh me Afërdita Dreshaj

Sapo ka festuar 18 vjetorin dhe e përjeton dashurinë si ajër, pasi pa të nuk jeton dot. Mjaftoi kënga hit me titull “Të kam” që David, të katapultohej si me magji nga kategoria “New artist” në atë BIG në festivalin “Kënga Magjike”. Por si është jeta jashtë skenës e djalit simpatik nga Mali i Zi, si e përjeton dashurinë në jetë dhe çfarë e lidh me modelen dhee këngëtaren Afërdita Dreshaj, i rrëfen në këtë intervistë të parë për revistën “Story”.

David, si ndodhi që u bëre pjesë e festivalit “Kënga Magjike” edicionin e kaluar?
Pasionin dhe dëshirën për muzikën i kisha që i vogël. Në moshën 10 vjeç, fillova shkollën e muzikës në Podgoricë, pastaj kalova në kurs profesional në Shkodër. Mora pjesë në disa kompeticione në Mal të Zi, dhe teksa koha kalonte dëshira për muzikën tek unë vetëm rritej. Kështu vendosëm që së bashku me familjen, të vazhdojmë në këtë drejtim dhe të ndërmarrim një hap më të madh në rrugëtimin, që kisha filluar. Zgjodha Adrian Hilën si kompozitor të parë, që të punoj me të, kështu lindi ideja për pjesëmarrjen time në “Kënga Magjike 2016”. Dhe në atë skenë filloi gjithçka…
Edhe pse konkurroje në kategorinë e të rinjve, bëre përshtypje me deputimin e ndjerë të këngës “Të kam”. Kujt i këndoje me aq ndjenjë?
I këndova ndjenjës së dashurisë.
Tashmë njihesh në muzikë si David. Si ka ndryshuar jeta jote pasi kënga “Të kam” u bë hit në “Kënga Magjike?
Po, njihem më shumë si DAVID, por edhe si David Dreshaj. Sa për jetën tani si këngëtar kanë ndryshuar shumë gjëra, që kur mora pjesë në “Kënga Magjike 2016”. E them këtë sepse suksesi që pata aty për mua ishte diçka e madhe, dhe bëri bujë të madhe.
Nisur nga mbiemri i njëjtë dhe vendlindja, çfarë të lidh me modelen dhe këngëtaren Afërdita Dreshaj?
Afërdita Dreshaj është kushërira ime.
Sa i takon talentit çfarë komenti të ka bërë për zërin, Ardit Gjebrea si profesionist që është?
Besoj se Arditi na njeh shumë mirë të gjithëve si artistë dhe këngëtarë që jemi, kështu që nuk ka pasur nevojë të më komplimentojë zërin, por na ka mbështetur shumë të gjithë këngëtarëve të kategorisë “New Artist”.
Pas një viti u përballe sërish me anëtarët e jurisë së kategorisë “New artist”. Çfarë komentesh mund të bësh për secilin prej tyre përkatësisht për; Olti Currin, Juliana Pashën, Dj.Sardin e Venera Lumanin?
Po çfarë mund të them? Një juri super profesioniste. I falenderoj të gjithë për vlerësimin e tyre!Falë tyre sot jam këtu ku jam dhe mund të vazhdoj ta bëj ëndrrën time realitet.
Këtë edicion konkurron në kategorinë BIG. Sërish me baladë, apo ritmike?
Edhe këtë vit kënga ime është baladë.
Ke aq ambicie sa ta imagjinosh veten fitues të “Kënga Magjike 2017”? Mendon se do të votojnë kolegët?
Po, do të jem në kategorinë BIG, dhe ndihem shumë i lumtur për këtë gjë. Çdo herë ku marr pjesë shkoj me atë mendimin më të mirë, dhe jap më të mirën. Të gjithë e dimë që pjesa e votimeve tashmë ështe kthyer në një gjë tradicionale e që koleget të votojnë njëri-tjetrin. Por besoj se me një baladë të qëlluar me një tekst të magjishëm, bashkë me zërin, mund të dalë diçka shumë e bukur, dhe që mund t’i bëjë artistët e tjerë të më votojnë.