David Dreshaj dhe bota mashkullore e 20-vjeçarit

“Nuk e dua” hit-i që ju sjell në qejf me dhimbjen, sekreti im pse vrapoj në sportin e muzikës.

David Dreshaj është artisti nga Mali i Zi, që po bën bujë me klipin e tij të ri me titull “Nuk e dua”, një krijim i Darko Dimitrov dhe Lindon Berishës. Në klipin që ka marrë mijëra klikime, 20 vjeçari shfaqet mjaft i kuruar, ndërkohë që ka realizuar dhe një set fotosh artistike si një profesionist i vërtetë.

Ishte vetëm 16 vjeç kur preku zemrat e publikut me “Të kam” në “Kënga Magjike”, e pas 4-vitesh vjen i maturuar me “Nuk e dua”, një këngë e madhe që të sjell në qejf me dhimbjen. Artist i mirëfilltë në industrinë e muzikës, Davidi i konsideruar si këngëtar i shpirtit rrëfen për revista “Story” bashkëpunimin për këtë hit me Darko Dimitrov dhe Lindon Berishën, dyshen e famshme e “Nëntori” të Arilena Arës.

Pyetjes nga revista “Story” nëse “Nuk e dua” është një këngë që të fut më dëshpërim apo të sjell në qef edhe pse i dedikohet dhembjes në dashuri, Davidi i përgjigjet: “Kënga është në rrymën Pop/Dance, dhe që të bën të kërcesh dhe të ndihesh mirë me veten. Madje të sjell në qejf sepse ka edhe elementë DeepHouse brenda, por që tingëllon sikur më qan shpirti. Unë vetë si këngëtar jam “soulfull singer”. Këndoj me shpirt, se e dua, e dashuroj muzikën, frymoj për muzikën, e adhuroj muzikën! Kështu që kjo mund të jetë arsyeja e vetme, që unë këndoj me kaq forcë dashurie!

Nëse pret që kënga e tij e dyshes Dimitrov-Berisha të ketë jehonën ndërkombëtare të “Nëntori” të Arilena Arës, ai thotë: “Po, kënga është punuar nga disa hitbërës siç janë; Darko Dimitrov dhe Lindon Berisha, dhe jo vetëm, sepse në këtë projekt na është bashkangjitur dhe kanë punuar edhe Kosta Petrov e Sanja Popovska. Kënga që në ditën e parë pati jehonën e duhur, u prit dhe po pritet shumë mirë. Dhe pas vetëm dy javësh nga publikimi, kënga numëroi afërsisht gati 5 milionë klikime në YouTube, ndërkohë që po luhet në radiot më në zë në të gjithë Shqipërinë, Kosovë, Maqedoni, dhe në Mal të Zi, aty ku unë jetoj. Po ashtu kam marrë mesazhe, komente, dhe komplimente pafund nga e gjithë bota, dhe jo vetëm nga Europa apo shtetet ballkanike. Kështu që në përfundim mund të them se kënga përveçse është hit, nëse do bëhet edhe më shumë hit ndërkombëtar le t’ia lëmë kohës dhe publikut! Por që suksesi po flet vetë, kështu që ka shumë shanse.

Po ç’ndodh në botën mashkullore e një 20-vjeçari si Davidi që i këndon dashurisë me kaq ndjenjë? “Po, jam 20 vjeç. Po kush tha që kam provuar dhimbje të tillë? (Qesh) Po le të jemi pozitivë, se kënga ka shumë ritëm. Të përqendrohemi tek ritmi, muzika e bukur që përcillet nga kjo këngë. Nga këto dy versione, ta shijojmë në maksimum atë dhe të jemi sa më pozitivë. S’kam pse të shpjegoj gjëra të tilla që nuk janë aq të rëndësishme, dhe nuk më bëjnë aq shumë përshtypje.

E meqë jemi tek vajzat, për lidhje i pëlqejnë vajza më të vogla se ai, moshatare apo më të mëdha në moshë? “Moshatare, po dhe më të mëdha pse jo!” (Qesh).

Nëse flasim për planin për t’u shfaqur çift skenik, pra në duet me ndonjë këngëtare, ai shprehet diskret: “S’po dua të zbuloj shumë, kështu që më mirë nuk po tregoj!”

Dhe le ta mbyllim me strategjinë e tij në muzikë, nëse ka aq shumë ambicie sa të hyjë në listën e këngëtarëve shqiptarë të momentit që po bëjnë karrierë nëpër botë? “Ambicia ime shkon edhe më lart, se vetëm të hyj në listën e këngëtarëve shqiptarë të momentit në botë, ndaj ia lëmë kohës! Por kështu siç kam filluar me suksese dhe arritje të një pasnjëshme, punë dhe vullnet, besoj se do të realizohet në një të ardhme shumë të afërt. Megjithese më duhet ta them, që unë besoj shumë në talentin dhe punën që unë bëj.

Të jesh i ri dhe të bësh karrierë në muzikë çfarë kostosh ka? Sakrifikoj shumë, punoj shumë, dhe besoj në të gjithë procesin e punës sime, dhe në të gjithë hapat dhe copëzat që po hedh me shpejtësi në këtë sport. Po ashtu e dua edhe çdo vështirësi dhe pengesë të kësaj pune, sepse unë jam rritur me muzikë, po rritem me muzikë, ia kam kushtuar jetën muzikës, dhe do vdes me muzikë!”/www.story.al