Dasmë e re në horizont, Adele e gatshme për t’u bërë nusja e agjentit Rich Paul
Gjithandej po përflitet se këngëtarja e njohur britanike Adele është fejuar me të dashurin e saj Rich Paul.
Ndërkohë që nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga çifti, raportimet në media kanë thënë se Adele është fejuar. Madje thuhet që ylli 34-vjeçar dhe i dashuri i saj 41-vjeçar po planifikojnë një martesë këtë vit.
Dyshja e bëri publike për herë të parë lidhjen e tyre 2 vite më parë. Spekulimet për fejesën e Adele me Paul u intensifikuan pasi këngëtarja u pa duke mbajtur një unazë me diamant në gisht. Për më tepër, Adele tha për revistën “Elle” në gusht të vitit 2022 se ajo kurrë nuk ka qenë e dashuruar si me Paul-in.
E pyetur për unazën e madhe që mbante në gisht, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në ‘Brit Awards’, Adele as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi nëse ata janë fejuar.
Rikujtojmë, se ylli i muzikës botërore ka folur së fundmi për një problem shëndetësor që ka ndikuar tek ajo gjatë qëndrimit të saj në Las Vegas. Pasi këngëtarja ngjalli shqetësim te fansat pasi kishte vështirësi në ecjen gjatë shfaqjes në Las Vegas, ajo u shpreh se vuante nga dhimbjet e forta dhe kronike të shpinës.
Adele zbuloi gjithashtu se do të pushojë për pak kohë nga muzika pas shfaqjeve të saj në Las Vegas. Artistja ka zbuluar se po planifikon të marrë një diplomë në Letërsi Angleze. Këngëtarja, e cila publikoi videoklipin e këngës së saj të re “I Drink Wine” tha se do të donte të kishte shkuar në universitet pasi kishte lënë shkollën.
Top Channel